Një tren mallrash doli nga shinat të shtunën pranë stacionit hekurudhor Meja, në Kroaci, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet po hetojnë shkaqet e ngjarjes.
Treni, në pronësi të kompanisë private Transagent, po transportonte drithëra në drejtim të Rekës, kur rreth orës 09:25 ndodhi aksidenti. Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i trenit kishte njoftuar dispeçerin se frenat nuk funksiononin dhe se nuk po arrinte ta ndalonte mjetin.
Si pasojë, 11 vagonë dolën nga shinat dhe përfunduan në një humnerë. Ndërkohë, lokomotiva dhe dy vagonë të tjerë mbetën në stacionin hekurudhor.
Aksidenti shkaktoi ndërprerjen e qarkullimit të trenave në këtë segment të linjës. Për udhëtarët është organizuar transport zëvendësues me autobusë, ndërsa shërbimi hekurudhor vijon normalisht në pjesët e tjera të linjës.
Kryetari i bordit drejtues të kompanisë HŽ Infrastruktura, Damir Lonçariq, deklaroi se ende nuk dihet se kur do të rifillojë qarkullimi normal. Ai u bëri thirrje operatorëve hekurudhorë të kontrollojnë më me kujdes gjendjen teknike të lokomotivave dhe vagonëve, veçanërisht atyre në pronësi të kompanive private.
Lonçariq theksoi se, nëse konfirmohet se aksidenti është shkaktuar nga një defekt në sistemin e frenimit, do të duhet të shqyrtohet nëse problemi lidhet me mjetet hekurudhore dhe jo me infrastrukturën.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Drejtuesve të Trenave të Kroacisë, Nenad Mrgan, kritikoi ashpër kompaninë Transagent, duke ngritur shqetësime për sigurinë teknike të vagonëve të saj.
“Drejtues i papërgjegjshëm, kompani e papërgjegjshme Transagent. Kjo u ndodh për të dytin vit radhazi. Fakt është se problemi qëndron te vagonët”, deklaroi Mrgan.
Ai tha se sindikata kishte paralajmëruar më herët për problemet e pretenduara me sigurinë e vagonëve dhe kishte kërkuar që ata të mos përdoreshin derisa të garantohej përshtatshmëria e tyre për qarkullim. Sipas tij, shqetësimet ishin përcjellë edhe te institucionet përgjegjëse.
Ky nuk është aksidenti i parë i këtij lloji në zonë. Lonçariq kujtoi se rreth tre vjet më parë kishte ndodhur një tjetër aksident hekurudhor pothuajse në të njëjtin vend. Në të dyja rastet, trenat i përkisnin operatorëve privatë.
Shkaqet e aksidentit të fundit pritet të përcaktohen nga hetimet. Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar për përgjegjësinë e drejtuesit të trenit apo të kompanisë Transagent.


