Christa Pike, e burgosura amerikane e dënuar me vdekje, ka lënë spitalin pas ekzekutimit të dështuar në fund të muajit të kaluar, bënë të ditur avokatët e saj.
50-vjeçarja, e dënuar për vrasje, është kthyer në burgun ku ka kaluar 30 vitet e fundit, thuhet në deklaratën e avokatëve të saj të publikuar të shtunën.
Ajo po vijon të marrë kujdes mjekësor në burg.
Pike i mbijetoi dy injeksioneve vdekjeprurëse me pentobarbital më 30 shtator, të cilat e lanë në gjendje kritike në spital.
Në fillim të kësaj jave, ajo rifitoi vetëdijen dhe nisi të fliste, duke habitur ekspertët, personelin mjekësor dhe avokatët e saj.
“Ajo u është mirënjohëse ekipeve të para të ndërhyrjes dhe stafit mjekësor për kujdesin e treguar në këto rrethana të jashtëzakonshme”, thuhet në deklaratën e avokatëve të saj.
Rasti i Pike ka hyrë në një territor të panjohur, pasi ajo besohet të jetë personi i vetëm që ka mbijetuar pas një tentative ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës.
Gjatë një seance gjyqësore të mërkurën, ndihmësprokurori i përgjithshëm i shtetit të Tennessee-t, Will Ayers, i tha gjyqtarit se nuk e di nëse autoritetet e shtetit synojnë ta riplanifikojnë ekzekutimin e Pike.
Gjykatësi urdhëroi gjithashtu shtetin e Tennessee-t të ruajë të gjitha provat që lidhen me ekzekutimin e dështuar. Këto prova mund të shërbejnë si bazë për një padi të ardhshme kundër shtetit.
Pike ishte 18 vjeçe kur, së bashku me të dashurin e atëhershëm, Tadaryl Shipp, rrahën, torturuan dhe vranë 19-vjeçaren Colleen Slemmer, të cilën e kishin njohur në një kamp trajnimi profesional për të rinj nga familje me të ardhura të ulëta.
© SYRI.net