
Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar të shtunën në Aeroportin Ndërkombëtar të Riadit, në Arabinë Saudite, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve dhe mobilizimin e shërbimeve të emergjencës.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, më shumë se 12 ambulanca janë parë duke lëvizur drejt aeroportit, ndërsa pasagjerët janë evakuuar nga disa prej ambienteve të tij. Deri më tani, nuk ka një bilanc zyrtar për viktima apo të plagosur nga shpërthimi i fundit.
Ngjarja vjen pas dy sulmeve të tjera të raportuara gjatë kësaj jave ndaj aeroportit të kryeqytetit saudit. Sipas raportimeve, sulmet e mëparshme kanë shkaktuar katër viktima dhe disa të plagosur, ndërsa një avion ka pësuar dëmtime të rënda.
Pas shpërthimit, trafiku ajror drejt kryeqytetit saudit është përballur me ndërprerje të konsiderueshme. Sipas të dhënave të platformës Flightradar24, disa fluturime janë anuluar ose devijuar drejt aeroporteve të tjera.
Mes kompanive ajrore të prekura janë Etihad Airways dhe Qatar Airways, të cilat kanë anuluar disa fluturime drejt Riadit. Sipas raportimeve, anulimet në disa linja vijojnë deri të hënën.
Autoritetet aeroportuale u kanë bërë thirrje udhëtarëve të kontaktojnë kompanitë ajrore dhe të kontrollojnë statusin e fluturimeve përpara se të nisen drejt aeroportit.
Përshkallëzimi i situatës lidhet me tensionet mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Huthi në Jemen, të cilëve u atribuohen sulmet me raketa. Grupi, i mbështetur nga Irani, u ka bërë thirrje kompanive ajrore të shmangin hapësirën ajrore saudite, duke e cilësuar atë si zonë operacionesh ushtarake.
Paralajmërimi vjen pas nisjes së një ofensive nga qeveria jemenase, e mbështetur nga Arabia Saudite, kundër pozicioneve të Huthive.
Ndërkohë, pavarësisht situatës së tensionuar, organizatorët e disa konferencave ndërkombëtare për energjinë dhe investimet në Riad kanë njoftuar se aktivitetet do të zhvillohen sipas programit.
Autoritetet pritet të vijojnë vlerësimin e situatës së sigurisë, ndërsa shkaku dhe pasojat e shpërthimit të fundit në aeroport mbeten ende të pakonfirmuara./Versus.al

