Michael McGrath u shfaq në zyrën e kryeministrit Edi Rama të enjten, pikërisht atë ditë kur pritej të votohej Reforma Territoriale. Komisionieri i Bashkimit Europian për demokracinë ishte i ftuar sot në Euroneës Albania ku preku çështjen e integrimit, por u ndal edhe te puna e SPAK në progresin për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane. Ai ishte i qartë kur tha se reforma në drejtësi, pavarësia e institucioneve dhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë piketat e integrimit në BE.
McGrath vlerësoi progresin e arritur të vendit tonë në 10-vjeçarin e fundit, duke vënë theksin në konsolodimin e institucioneve dhe garantimin e pavarësisë së tyre.
“Ndonjëherë kilometri i fundit është më i vështiri dhe me siguri që do të ketë sfida dhe vështirësi, por me nivelin e angazhimit që kemi parë deri tani nga autoritetet shqiptare, mendoj se mund të jemi të sigurt se qëllimi përfundimtar është afër. Ndaj le të punojmë së bashku. Sigurisht që reforma në drejtësi ka qenë thelbësore për progresin që është bërë deri tani, por ka ende punë për të bërë”, u shpreh ai.
Një vëmendje të veçantë, McGrath i kushtoi dhe SPAK-ut, ku u shpreh se duhen mbështetur maksimalisht për të bërë punën e tyre.
“Është shumë e rëndësishme që në SPAK të kenë nivelin e burimeve që u nevojiten, kompetencat që u nevojiten dhe aftësinë që u nevojitet për t’u përballur me njerëzit që janë të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë dhe në krim të organizuar, çka rëndon ndjeshëm mbi njerëzit e zakonshëm”, tha më tej McGrath.
Ndërsa kur u pyet për pagat ishte i qartë kur tha se vendimet e gjykatave nuk duhen diskutuar, por zbatuar!
“Para së gjithash takon autoriteteve shqiptare të vendosin për nivelin e shpërblimit për magjistratët. Megjithatë, aty ku ka një vendim gjykate, si në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është e rëndësishme që ai të zbatohet dhe mirëpresim faktin që magjistratët janë paguar”, u shpreh ai.
