Muli vendos rregulla për takimet me ambasadorin

10 Tetor 2026, 19:00Antena TEMA

Pas takimit të fundit të ambasadorit amerikan me tre deputetë të PD-së, në vend të Doktorit, Muli u shqetësua seriozisht.

– Kjo është një thikë pas shpine, – i tha Lelos. – Si mund të shkojnë ata tre deputetë në vend të Doktorit? Çfarë do të thotë kjo?

– Ata ndoshta nuk e dinë që kanë qenë në vend të Doktorit, – i tha Lelo. – Kanë menduar se ambasadori i ka thirrur për respekt.

– Shtëpia ka rregulla, – tha Muli. – Nuk mund të vijë një i huaj këtu e të caktojë kush është i zoti i shtëpisë. Ose takon të zotin e shtëpisë, ose s’ka nevojë të takojë të tjerë fare. Se kështu i bie jo vetëm që nuk takojnë Doktorin, por caktojnë edhe kush është numri dy e numri tre. Domethënë ai nuk ka zëvendësuar vetëm Doktorin, por edhe mua.

– Nëse e ka bërë për Doktorin, na ka respektuar, – tha Lelo, – se ka thirrur tre veta për të zëvendësuar një. Kjo do të thotë se Doktori është sa tre prej nesh. Madje kam të dhëna se ka thirrur katër, por Belua ishte me ty për safari në Afrikë.

– Na kanë shpallur armiq edhe këta të La Civita-s, – tha Muli, – që të na takoheshin. S’dimë kujt t’i themi tani. Vetëm Fatmiri na ka mbetur nga gjithë amerikanët që njohim. Edhe ai është me halle tani.

– Mendoj se kjo situatë kalon shpejt, – tha Lelo. – Herën tjetër duhen porositur deputetët që të mos shkojnë në takime në vend të Doktorit. Vetëm kur ka takime të nivelit të ulët.

Fjala vjen, nëse thërret Damianin, ka leje të shkojë edhe Oerti. Nëse thërret Iglin, ka leje të shkojë edhe Jorida. Nëse thërret Taulantin, ka leje të shkojë edhe Gaz Bardhi. Nëse thërret Blendi Klosin, duhet të të thërrasë ty... Pra, të respektojnë të njëjtin nivel. Por në vend të Doktorit nuk duhen lejuar.

– Kështu do ta bëjmë, – tha Muli. – Madje, në çdo takim, fjalimet duhet t’i nisin: “Doktori më porositi që t’ju them se...” dhe të vazhdojnë. Pastaj të vijnë të raportojnë me shkrim çfarë u tha ai dhe çfarë i thanë këta.

– Puna është si ta verifikojmë që nuk na gënjejnë, – tha Lelo. – Se kështu na thoshte edhe Luli, por doli që i kishte bërë gjëmën Doktorit.

– Do të dalë e vërteta një ditë, – tha Muli, – siç doli. Fatmir Mediu do ta mbledhë veten dhe do të ringrihet përsëri. Atëherë, mjerë ata që kanë shpifur.

Lini një Përgjigje