Aeroporti Ndërkombëtar King Khalid në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, është evakuuar sot pas raportimeve për një shpërthim të fuqishëm. Sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve, dyshohet se aeroporti mund të jetë sulmuar sërish, vetëm pak ditë pas sulmeve të pretenduara nga rebelët Huthi të Jemenit.
Sipas Reuters, një dëshmitar ka parë më shumë se dhjetë ambulanca që po drejtoheshin me shpejtësi drejt aeroportit. Deri më tani, autoritetet saudite nuk kanë publikuar një deklaratë zyrtare për ngjarjen.
Ndërkohë, aeroporti u ka kërkuar udhëtarëve të kontaktojnë kompanitë ajrore përpara se të nisen drejt tij, për shkak të situatës së krijuar.
Ngjarja vjen një ditë pasi autoritetet saudite njoftuan se tre shtetas të vendit, mes tyre një pilot, humbën jetën në dy sulme të kryera një ditë më parë.
Gjithashtu, më 6 dhe 7 tetor, tre persona të tjerë u vranë në sulme të atribuuara rebelëve Huthi ndaj dy aeroporteve saudite.
Shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit të raportuar në aeroportin e Riadit mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet reagimi zyrtar i autoriteteve saudite.


