Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka komentuar marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama dhe bashkimin e partive shqiptare në Luginën e Preshevës, duke pretenduar se ndërkombëtarët kanë më shumë simpati për kreun e qeverisë shqiptare sesa për të.
Në një intervistë për median serbe Informer, Vuçiç foli për nismën “Ballkani i Hapur”, duke pretenduar se ajo ishte kundërshtuar nga disa fuqi të huaja, të cilat, sipas tij, nuk dëshironin që vendet e rajonit të vendosnin vetë për bashkëpunimin mes tyre.
“Arsyeja e parë ishte se duhej të shkatërrohej Ballkani i Hapur. Ballkani nuk duhet t’u përkasë popujve të Ballkanit, por disa fuqive të tjera. Edi Rama është tepër kokë më vete për të qenë sipas qejfit të tyre. A e preferojnë atë më shumë se mua? Po, e preferojnë më shumë se mua. Unë veproj krejtësisht sipas mendjes sime, prandaj njerëz si unë nuk i duan aspak. Edhe Ramën, megjithëse e respektojnë, nuk e duan shumë”, u shpreh Vuçiç.
Presidenti serb komentoi edhe bashkimin e partive shqiptare në Serbi për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, me Shaip Kamberin në krye të listës. Vuçiç pretendoi se ky bashkim synon të ndërkombëtarizojë çështjen e Luginës së Preshevës dhe akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe aktorë të tjerë të jashtëm për ndikimin në këtë proces.
“Për herë të parë, partitë shqiptare janë bashkuar, sepse i ka bashkuar jo vetëm Kurti, por edhe të tjerë nga jashtë”, deklaroi Vuçiç, duke e cilësuar këtë zhvillim si një përpjekje kundër interesave të Serbisë.
