AKTUALITET /

Në kërkim nga Interpoli për sulmin e Banjskës, Radoiçiç në fushatë me djalin e ish-presidentit Vuçiç

Në dhjetor të vitit 2023, Interpoli lëshoi urdhër-arreste për Radoiçiqin dhe 11 persona të tjerë në lidhje me këtë ngjarje.

Shkruar nga Versus

Në kërkim nga Interpoli për sulmin e Banjskës,

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe personi që mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Kosovës, është shfaqur në një tubim parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc, pranë Danilo Vuçiçit, djalit të ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Pamjet e publikuara nga mediumi serb “N1” tregojnë Radoiçiqin pranë Danilo Vuçiçit përpara sallës “Jezero”, ku u zhvillua tubimi i SNS-së.

Sipas raportimit, Danilo Vuçiç mbërriti në aktivitet i shoqëruar nga disa automjete me drita sinjalizuese, ndërsa më pas ai dhe Radoiçiqi shihen së bashku.

Radoiçiq është në kërkim nga Interpoli për çështjen që lidhet me sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në dhjetor të vitit 2023, Interpoli lëshoi urdhër-arreste për Radoiçiqin dhe 11 persona të tjerë në lidhje me këtë ngjarje. Bashkimi Evropian dhe NATO kanë kërkuar vazhdimisht që Serbia të mbajë përgjegjës personat e përfshirë në sulm.

Radoiçiq, i cili në atë kohë mbante postin e nënkryetarit të Listës Serbe, mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që sulmoi policinë në Banjskë.

Ndërkohë, sipas “N1”, Radoiçiq është përmendur edhe në raportimet për zgjedhjet lokale në Kosjeriq të Serbisë, ku banorë dhe përfaqësues të një grupi qytetar e kanë akuzuar atë dhe personat që e shoqëronin për frikësim dhe kërcënime ndaj qytetarëve.

Gjithashtu, Radoiçiq dhe biznesmeni serb Zvonko Veselinoviq janë subjekt i sanksioneve amerikane, të vendosura për akuza që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar./Versus.al

Poll