Këngëtarja Blerina Matraku ka folur ekskluzivisht në emisionin “Goca dhe Gra” për çështjen që e ka vendosur në qendër të vëmendjes pas publikimit të videove intime të lidhura me kompozitorin Adi Hila.
Matraku u shpreh se dëshiron të tregojë versionin e saj të ngjarjeve, duke theksuar se situata nuk është ashtu siç duket. Ajo foli për marrëdhënien profesionale me kompozitorin, duke deklaruar se i kishte paguar 10 mijë euro për realizimin e një albumi dhe se mes tyre nuk ka borxhe për këngët.
“Ke një person të zhveshur nga çdo lloj morali dhe, edhe pse nuk e kam merituar deri në këtë pikë, duke mbajtur përgjegjësitë e mia, ke përballë vetes një person të vdekur që po frymon, e kryqëzuar. Sot jam këtu për të thënë të vërtetën time, për të mbajtur peshën që më takon dhe për të ndarë me ju një pjesë të historisë, me të cilën njerëzit mund të kuptojnë që ‘prit se ky njeri nuk është fajtor aq sa e kanë fajësuar’”, u shpreh këngëtarja.
Ajo tregoi se e kishte kërkuar për disa muaj Adi Hilën për të bashkëpunuar me të, për shkak të reputacionit dhe profesionalizmit që kompozitori kishte në atë kohë.
Sipas Matrakut, në vitin 2007 ajo i kërkoi të realizonin një album dhe e pagoi shumën prej 10 mijë eurosh. Këngëtarja tha se paratë i kishte kursyer nga angazhimet në evente, dasma dhe puna si stjuardesë, ndërsa për këtë investim kishte marrë ndihmë edhe nga miqtë e saj.
“Ai ishte njeri shumë serioz, kur u takova, me të cilin unë mund të bashkëpunoja gjatë. I kërkova një album dhe e pagova me 10 mijë euro, për të cilat unë ato lekë i kam kursyer me eventet, dasmat dhe punë si stjuardesë që bëja në atë kohë; më kanë ndihmuar edhe miq të mi, sepse ishin shumë lekë për mua. I mblodha. Nuk i kam absolutisht asnjë lloj borxhi ndaj këngëve të mia dhe as nuk më ka”, deklaroi Matraku.
Ajo shtoi se fillimisht kishin menduar të merrnin pjesë në kompeticione të ndryshme muzikore me këngët e realizuara së bashku. Matraku pranoi se e ka të vështirë të flasë për jetën personale, duke qenë se bashkëpunimi i tyre kishte zgjatur rreth katër vjet.
Në përfundim, këngëtarja theksoi se dëshiron të tregojë anën e saj të historisë dhe të sqarojë rrethanat, duke nënvizuar se, sipas saj, ngjarjet nuk janë domosdoshmërisht ashtu siç janë paraqitur në publik.


