Kur anti-korrupsioni prodhon efektin e kundërt — Blendi Kajsiu: Si u përdor antikorrupsioni për të justifikuar privatizimin gjatë tranzicionit (VIDEO)

11 Tetor 2026, 17:00Politika Bjorn Runa

Nëse ka një fjalë që e ka shoqëruar tranzicionin e Shqipërisë nga diktatura në pluralizëm, ajo fjalë është korrupsioni. Një fjalë që e has kudo dhe që përshkruhet si armiku numër një mes nesh dhe progresit, mes nesh dhe integrimit europian.

Por politologu Blendi Kajsiu ka një qëndrim ndryshe në lidhje me diskursin e antikorrupsionit në Shqipëri. Ndërsa shprehet se korrupsioni në vetvete është një problem real, mënyra se si e përkufizojmë atë është politike dhe beteja e Shqipërisë prej më shume se tri dekadash kundër korrupsionit ka ndikuar gjithashtu në formësimin e ekonomisë dhe modelit të zhvillimit.

Kajsiu e trajton këtë çështje prej vitesh dhe në librin e tij “A Discourse Analysis of Corruption: Instituting Neoliberalism Against Corruption in Albania, 1998–2005,a” analizon mënyrën se si antikorrupsioni u shndërrua në gjuhën politike dominuese të tranzicionit shqiptar, duke ndihmuar kështu në legjitimimin e modelit ekonomik neoliberal.

Për këtë arsye doja të flisja me të në “Apostrof,” për t’u ndalur tek mënyra se si ka ndryshuar diskursi i antikorrupsionit në Shhqipëri përgjatë viteve të tranzicionit dhe asaj se çfarë e kaluara mund të na thotë në lidhje me betejat e sotme kundër korrupsionit.

Një nga argumentet kryesore të Kajsiut është se korrupsioni dikur kishte një kuptim shumë më të gjerë. Në fillim të viteve 1990-të, fjala korrupsion mund të përshkruante kontradiktën se si ish-elitat komuniste po ktheheshin në përfituesit e parë të kapitalizmit, një proces që në atë periudhë cilësohej si “korrupsioni i kuq.” “Degradimi,” thotë Kajsiu, “ishte se komunistët u bënë kapitalistë.”

Kajsiu argumenton gjithashtu se pas rënies së firmave piramidale në 1997-ën, edhe kuptimi i korrupsionit ndryshoi, duke u bërë më i ngushtë. Gjithnjë e më shpesh, korrupsioni nënkuptonte abuzimin me një post publik për fiitme private. Një përkufizim që vinte me një pasojë të rëndë ideologjike: nëse korrupsioni i përkiste kryesisht sektorit publik, atëherë tkurrja e këtij sektori në vetvete kthehej në një politikë antikorrupsion.

Kjo histori na çon tek pyetja në qendër të bisedës sonë në “Apostrof.” Kajsiu thotë se e mbështet SPAK-un dhe e sheh hetimin e zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të lartë si progres, por shton se e shqetëson fakti që Shqipëria po ia delegon prokurorëve të gjithë luftën kundër korrupsionit, kur ata do duhej të ishin hallka e fundit në këtë proces. “SPAK është filtri i fundit, jo i pari,” thotë Kajsiu.

Kostoja e madhe e gjithë këtij diskursi, sipas Kajsiut, është humbja e imagjinatës politike. Pas më shumë se tri dekadash ku na është përsëritur vazhdimisht se shteti nga natyra është i korruptuar, e kemi gati të pamundur të përfytyrojmë një sektor publik kompetent. Kajsiu e përshkruan betejën e drejtësisë së re me korrupsionin si një profeci vetëpërmbushëse: “Ata [qeveritarët] e korruptojnë shtetin dhe thonë pastaj, ‘A nuk ju thamë që shteti është i korruptuar?’”

Ndaj doja ta kisha Kajsiun në këtë bashkëbisedim për të analizuar se, pas gjithë këtyre viteve, çfarë ka ndërtuar lufta kundër korrupsionit në Shqipëri?

Intervista e plotë:

Bjorn Runa: Korrupsioni është një nga ato fjalë që në Shqipëri e dëgjojmë pothuajse kudo. Unë mbaj mend që, që fëmijë, kam dëgjuar nga prindërit, në televizor, kudo. Është përshkruar gjithmonë si një lloj armiku numër një i shoqërisë dhe si një lloj pengese midis nesh dhe progresit, midis nesh dhe integrimit. Megjithatë, fakti që e dëgjojmë kaq shumë si fjalë dhe dëgjojmë të flitet kaq shumë për të, nuk do të thotë domosdoshmërisht që e dimë kuptimin e saj dhe çfarë do të thotë. Dhe një nga argumentet qendrore në librin tuaj është që korrupsioni nuk është një fjalë neutrale. Ju shkruani që, para se ta quajmë apo ta etiketojmë diçka si të korruptuar, na duhet fillimisht një ide ose një imazh se si supozohet të duket një shoqëri e shëndetshme ose një shoqëri e mirë. Dhe do doja ta fillonim pikërisht këtu. Nëse mund të përkufizojmë çfarë nënkuptojmë kur themi që diçka është e korruptuar dhe cili është vizioni i kësaj shoqërie të mirë?

Blendi Kajsiu: Bjorn, është e vërtetë që sot dëgjojmë aq shumë për korrupsionin, saqë duket e pamundur një shoqëri shqiptare ku korrupsioni nuk ishte çështja themelore apo kryesore, por është çështje brezash. Domethënë brezi yt, unë do ta quaja brezi i korrupsionit. Jo se jeni ju të korruptuar, por se jeni rritur me konceptin e korrupsionit.

Por një brez para jush, ose pak më mbrapa po të shkojmë, në fakt korrupsioni nuk ishte pjesë fare e fjalorit politik të komunizmit. Ishte pothuajse shumë periferik ose inekzistent. Madje edhe në fillim të viteve ’90 nuk ishte e qartë se çfarë ishte korrupsioni.

Edhe në fjalorin e 1980-s fjala “korrupsion” nuk ishte. Ishte fjala “korruptim”. Pra, korrupsioni si një fenomen që ekziston më vete, siç e kemi krijuar si një objekt specifik dhe të identifikueshëm, nuk ekzistonte. Hyn në vitet ’90 dhe pastaj, në ’98-ën, është me ndërhyrjen e fuqishme të Bankës Botërore, të Këshillit të Evropës, të gjithë komunitetit ndërkombëtar, që e kthejnë korrupsionin në një objekt specifik, të prekshëm, të matshëm, që në mënyrë esenciale mund ta quanim abuzim me pushtetin publik për interes privat, ose konkretisht ryshfeti.

Pra, ryshfeti bëhet imazhi ose trupëzimi i korrupsionit. Dhe kur ne themi korrupsion sot, në kokë kemi në shumicën e rasteve ryshfetin. Ama korrupsioni dhe korruptimi si koncepte nuk kanë të bëjnë me ryshfetin vetvetiu. Kanë të bëjnë thjesht me një proces degradimi apo degjenerimi.

Është thjesht një tranzicion nga një gjendje ideale, e shëndoshë, e mirë, në një gjendje të pashëndoshë, jo të mirë, të degjeneruar, të degraduar. Pra kaq nënkupton korrupsioni, asgjë më shumë. Është thjesht degradim.

Pra sinonimi më i afërt do ishte degradim. Dhe këtu futet dimensioni thellësisht ideologjik i korrupsionit. Pra ideja ime është që korrupsioni është në esencë një koncept ideologjik. Të gjithë konceptet janë ideologjike më shumë apo më pak. Drejtësia, demokracia kanë një dimension. Po korrupsioni nuk mund të kuptohet jashtë konceptimit ideologjik të dikujt. Sepse, në qoftë se korrupsioni është degradim nga një gjendje e mirë në një gjendje të keqe, ai ka kuptim vetëm kur përcaktohet kush është gjendja e mirë dhe kush është gjendja e keqe.

Pra, që ti të thuash diçka është korruptuar, paraprakisht duhet të përcaktosh: korruptuar nga ku në ku? Në çfarë qëndron korruptimi? Kush është ideali që është korruptuar? Në qoftë se ideali yt është që shoqëria duhet të jetë raciste, që vetëm njerëzit e bardhë duhet të qeverisin, që ishte ideali i Gjermanisë naziste, që ishte ideali i Jugut të Shteteve të Bashkuara, nga ku u frymëzua Hitleri. Shumë nga ligjet e Hitlerit u morën nga Jugu i Shteteve të Bashkuara. Dhe nëse ti mendon që ideali është një shoqëri racore e pastër, korrupsioni është kur njerëzit përzihen, kur ka ato që quhen martesa të përziera, kur ka përzierje racash.

Ky është korrupsion. Në këtë aspekt, korrupsioni fsheh dhe implementon të njëjtin moment...

Pra, kur vendosim se çfarë do quajmë korrupsion ose çfarë do përkufizojmë si të korruptuar, a jemi duke vendosur gjithashtu edhe cilat forma të pushtetit analizojmë dhe cilat i injorojmë?

Po, patjetër. Domethënë ka po aq përkufizime të korrupsionit saç ka njerëz, po aq përkufizime korrupsioni saç ka ideologji. Sepse, në qoftë se ideologjia ime është që shoqëria duhet të jetë e barabartë, pra duhet të kemi barazi në shoqëri, siç është për shembull ideologjia e majtë, që synon një shoqëri me më shumë barazi, atëherë një shoqëri me nivele të larta pabarazie, ku e gjithë paraja përqendrohet në një klasë, të themi të miliarderëve, dhe shumica kanë probleme për mbijetesën, nga një pikëpamje marksiste kjo shoqëri është korruptuar, sepse është shumë larg idealit që ka kjo ideologji.

Në qoftë se ideologjia jote është ekonomia e tregut, konkurrenca e lirë, një ekonomi pa konkurrencë të lirë është një ekonomi e korruptuar, sepse është larg idealit tënd. Prandaj korrupsioni ka përkufizime që nga abuzimi me postin publik, nga ryshfeti, deri tek përjashtimi nga vendimmarrja.

Ka disa politologë që përkufizojnë korrupsionin si përjashtim nga vendimmarrja demokratike qytetare, siç është Mark Warren. Ka të tjerë që e përkufizojnë si nepotizëm, që është dhunimi i kritereve të meritokracisë në administratë. Ka të tjerë që e përkufizojnë korrupsionin në thelb si dështim të demokracisë liberale për të përmbushur idealet e saj, siç janë disa autorë marksistë. Pra, në këtë aspekt, korrupsioni përkufizohet në funksion të idealeve politike që ka gjithsecili.

Shqipëria në fillim të viteve ’90 duket sikur është shembull thuajse i përsosur i këtij botëkuptimi të gjerë se çfarë mund të quhet korrupsion, sepse, siç e përshkruani dhe ju në libër, mund të nënkuptonte një politikan që vidhte para publike, por mund të nënkuptonte njëkohësisht dikë që spekulonte në treg ose dikë që pasurohej në mënyra që konsideroheshin të padrejta. Jam kurioz, pse ishte kaq i gjerë koncepti i korrupsionit në atë periudhë, në ato vite?

Ishte i gjerë sepse ishte edhe më i saktë, në kuptimin që në ato vite, para se të na edukonte Banka Botërore dhe ekonomistët e Harvardit, në fakt përkufizimi i korrupsionit ishte në thelb sipas përkufizimit që vjen nga latinishtja.

Shkatërrimi i një gjendjeje ideale. “Corrumpere” vjen nga “rumpere” në latinisht, që është “të thyesh diçka”. Kështu që korrupsioni nënkuptonte thjesht degradimin, pra një gjendje e cila është larg idealit. Atëherë, kush ishte degradimi në Shqipërinë postkomuniste në logjikën antikomuniste?

Degradimi ishte që komunistët u bënë kapitalistë. Ky ishte degradimi më i madh, pra ishte më larg idealit antikomunist sesa ç’mund të imagjinohej, sepse antikomunizmi në thelb ishte: “Do rrëzojmë komunistët dhe do ndërtojmë kapitalizmin dhe demokracinë”, sepse kapitalizmi dhe demokracia supozoheshin që ishin e njëjta gjë, ose shkonin mirë bashkë.

Ky ishte supozimi. Çfarë ndodhi me antikomunizmin e Berishës në atë kohë? Ndodhi që politikat antikomuniste, privatizimi, reduktimi i shtetit, liberalizimi i tregtisë, lëvizja e lirë — nga të gjitha këto përfituan ish-komunistët, sepse ata kishin kapital social, kishin kapital financiar, dinin anglisht, ndërkohë që të persekutuarit politikë po dilnin nga burgu i Spaçit. As orientoheshin fare se ku ishin në treg.

Pra ironia qëndron, dhe kjo është një nga deformimet themelore të sistemit tonë politik që e vuajmë edhe sot, që kishim një Parti Demokratike që mbështetej nga shtresat e varfra, që kishin nevojë për politika sociale të majta, pra për socialdemokraci, që mbështeste neoliberalizmin; dhe kishim një parti të majtë, antiliberale deri në ’97-’98-ën — Fatos Nano kritikonte FMN-në, kritikonte liberalizimin — e cila mbështetej nga shtresa me kapital të lartë social dhe lidhje, që përfitonte më shumë nga neoliberalizmi.

Ky ishte deformimi. Si pasojë e këtij deformimi, korrupsioni atëherë quhej “korrupsioni i kuq” në ligjërimin antikomunist. Korrupsioni i kuq ishte korrupsioni i Nexhmije Hoxhës me shokë. Por ishte edhe korrupsioni i biznesmenëve të kuq. Kishte një rubrikë në “Rilindja Demokratike” atëherë që quhej: “Humbën pushtetin politik, po marrin pushtetin ekonomik”.

Dhe ishin këta biznesmenë të kuq. Si ka mundësi tani që ish-komunistët po bëhen kapitalistë? Azem Hajdari doli në parlament dhe tha: “Ju dhanë miliarda lekë sekretarëve të Partisë Komuniste për të ndërtuar kapitalizmin”. Këtu lind edhe e famshmja Katovica.

Nuk e di nëse brezi yt e ka dëgjuar, por për brezin tim Katovica ka qenë teoria konspirative më e fortë dhe më e madhe e postkomunizmit, për mendimin tim. Ideja që pati një takim në Poloni, në Katovicë, ku u tha aty me Gorbaçovin me shokë që tani nga komunistë do bëhemi kapitalistë.

Ky është konspiracioni. Pra konspiracioni i Katovicës zgjidh këtë ngërçin e së djathtës në këtë kohë: si ka mundësi që antikomunizmi po pasuron komunistët? Ky ishte paradoksi. Dhe këtu i vijmë emrit “korrupsion”. Kush do të ishte idealja? Do të ishte që të persekutuarit të pasuroheshin. Çfarë po ndodhte? Po pasuroheshin komunistët. Si quhet diferenca midis idealit dhe realitetit? Korrupsioni i kuq. Këtu ishte ai. Këtu fillon pra lindja e korrupsionit.

Sa ndikim ka pasur ky “korrupsioni i kuq” në ekonominë politike të mëvonshme shqiptare? Në qoftë se klasa e parë kapitaliste u formua nga këta njerëz që kishin lidhje të trashëguara, a ndihmoi kjo që të krijohej një marrëdhënie e ngushtë midis pasurisë dhe pushtetit edhe më pas? Një marrëdhënie që ndoshta e shohim edhe sot?

Ka ndikuar, ndonëse nuk e kam studiuar si çështje. Është çështje që pak e kam studiuar, në fakt, dhe do ishte mirë të studiohej. Por, së pari, nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Kjo ka ndodhur në gjithë Lindjen. Prandaj ajo teoria e Katovicës nuk ka lindur në Shqipëri.

Është në gjithë Lindjen dhe është një problem struktural. Nuk ka konspiracion këtu, sepse është normale: në qoftë se ti do privatizosh, nëse do bësh ekonominë e tregut, kush do përfitojë më shumë nga kjo ekonomi? Ata që kanë më shumë edukim, më shumë kapital social, lidhje. Ata që njohin gjuhën e huaj. Dhe këta ishin nomenklatura dhe shtresa e lartë e Partisë Komuniste. Pra aty nuk është se ka ndonjë konspiracion. Është produkti logjik i reformave.

Ajo që ndodh në Shqipëri, në krahasim me Bullgarinë, që e njoh pak a shumë se kam jetuar aty, por edhe me Rumaninë, Hungarinë, natyrisht edhe me Republikën Çeke, është që Shqipëria, ngaqë komunizmi ishte më i thellë se kudo tjetër, diferenca midis komunistëve dhe jo-komunistëve është akoma më e thellë.

Kështu që fenomeni ndihej akoma më thellë. Këtu kishte më shumë të persekutuar politikë se në vendet e tjera të rajonit. Ndaj diferenca midis drejtorit komunist këtu dhe të persekutuarit ishte shumë më e thellë sesa në Gjermaninë Lindore, Republikën Çeke, Hungari apo qoftë edhe Rumani, që ishte me nivele të larta persekutimi gjithashtu.

Por natyrisht kjo lidhje ndikoi në proces. Ndikimi më i madh ka qenë në deformimin e debatit tonë politik, në pamundësinë e krijimit të një alternative ndaj neoliberalizmit. Sepse mbas ’98-ës, ajo që ndodh është që Partia Socialiste e përqafon.

Pra, Partia Socialiste kthehet në shtratin e saj. Në fakt Partia Socialiste nuk kishte asnjë arsye për të mos e përkrahur privatizimin, sepse gjithnjë e më tepër përbëhej nga kuadro kapitalistë; kaluan nga kuadro komunistë në kuadro kapitalistë.

Dhe mbas ’98-ës Fatos Nano komplet e përqafon modelin neoliberal të zhvillimit dhe vazhdojmë me privatizimin, vazhdojmë me idenë që vetëm privati e bën, shteti s’bën. Problemi është që kemi dy parti në të njëjtën rezonancë ideologjike, që ofrojnë të njëjtat politika, gjë që ndodh edhe në vende të tjera për arsye që shkojnë përtej Shqipërisë, por në Shqipëri kjo është akoma më e theksuar.

Dhe kështu politika reduktohet gjithnjë e më tepër tek personalja, tek korrupsioni. Pra: ti je hajdut; jo, ti je më hajdut se unë; jo, unë jam më hajdut se ty. Dhe nuk kemi më debate thelbësore që kanë të bëjnë me modelin e zhvillimit: Sa e aftë është Shqipëria të konkurrojë në tregun e lirë? A duhen industritë strategjike të naftës, të përpunimit, të jenë shtetërore apo private? Si mund të bëhet bashkëpunimi shtetëror? Kush është modeli i një zhvillimi përveç privatizimit, liberalizimit, tregtisë së lirë, që kanë qenë mantrat ose parullat e tridhjetë viteve?

Në këtë aspekt e shoh unë ngërçin, sepse ata që ishin biznesmenë të kuq pastaj bëhen blu, e humbasin ngjyrën. Pas ’97-’98-ës e humbasin ngjyrën. Koncepti i biznesmenëve të kuq është diku deri te ’97-’98-a. Pas asaj humbet si koncept.

Do të doja të ndalonim pak te ’97-a, rënia e firmave piramidale. Shteti ishte praktikisht në kufijtë e një kolapsi dhe është një histori që mund të tregohet ndoshta në dy versione. Një version është ai që tranzicioni u korruptua, u zbatua keq, dhe tjetri që ndoshta kishte probleme vetë modeli i tranzicionit. Cila prej të dyjave do thoshit që është më e saktë?

Unë natyrisht jam me modelin që — pra dy versionet janë ato që thua ti — njëri është që modeli u zbatua keq dhe i dyti që modeli prodhoi problemin. Unë nuk jam me këtë “modeli u zbatua keq”, se me këtë logjikë edhe komunizmi si model u zbatua keq.

Me këtë logjikë çdo model zbatohet keq. Kjo ishte edhe logjika e komunistëve që thonin: “Jo mo, ideja është e mirë, po u zbatua keq modeli”.

Por ndoshta modeli nuk zbatohet dot mirë. Pra fakti që një model nuk zbatohet dot mirë është pjesë e problemit të modelit, nuk është jashtë modelit. Ideja është që ne duam të ndërtojmë modele që mund të zbatohen. Nuk mund ta ndajmë modelin nga zbatueshmëria e modelit. Kjo është ndarja që bëhet për të justifikuar modelin.

Ky ishte versioni i Bankës Botërore dhe komunitetit ndërkombëtar, pra që ’97-a ishte produkt i korrupsionit. Ranë skemat piramidale sepse pati korrupsion. Dhe këtu ndërhyn Banka Botërore dhe fillon të thotë që korrupsioni nuk është degradim; korrupsioni është ryshfet, është abuzim me postin publik, pra është një produkt thjesht i administratës publike.

Dhe e thotë këtë Banka Botërore, natyrisht sepse i interesonte ta thoshte, se s’mund të thoshte që modeli që ne zbatuam ishte i gabuar. Në ’97-ën thotë këtë banka. Në ’96-ën thoshte që Shqipëria është vendi më i suksesshëm. Gjithmonë para katastrofës ne na shpallin vendin më të suksesshëm.

Në ’96-ën ne ishim “the shining star” i FMN-së, i Bankës Botërore. Bill Clinton thoshte se “nuk ka vend më privat në botë”, thoshte me krenari. Dhe natyrisht Bankës Botërore i duhej kjo histori për të thënë që s’ishte problem me reformat. Natyrisht do bëjmë një gjeneratë të dytë të reformave liberale; shteti është i nevojshëm, por në funksion të tregut. Tregu është motori.

Unë mendoj që nuk ishte kështu, sepse po të shikosh pse ndodhën piramidat duhet të kuptosh komplet kontekstin social. Natyrisht Banka Botërore filloi të thoshte që shqiptarët janë injorantë, nuk njohin kapitalizmin. Tani Bernie Madoff ndodhi edhe në Amerikë. Skema piramidale ke edhe në Amerikë, por kur ndodh në Amerikë nuk mund t’u thuash amerikanëve që jeni injorantë.

Problemi nuk ishte as injoranca e shqiptarëve, nuk ishte as keqimplementimi i reformave. Përkundrazi, reformat u implementuan jashtëzakonisht mirë. Deri në ’96-ën këtë e thoshte Banka Botërore. Por çfarë prodhuan reformat? Prodhuan papunësi të jashtëzakonshme, mungesë totale të mbështetjes sociale, deindustrializim total.

Imagjino një popullatë që ka humbur nga inflacioni të ardhurat, ka humbur punën nga deindustrializimi, nuk ka asnjë mbështetje nga shteti. Detyrohet t’i futet aktivitetit kriminal, parave të pista, që janë si para lotarie. Sot ke zero, nesër—

Kjo shoqëri futet në logjikën e lotarisë. Piramidat janë lotari. Kjo është e njëjta logjikë, “bafti-bafti”. Kjo krijon dëshpërim social. Çfarë prodhon dëshpërimi social? Prodhon piramidat. Piramidat ndërtohen mbi dëshpërim social. Një shoqëri që nuk është e dëshpëruar nuk shkon si budallenjtë te piramidat.

Pse ndodhi budallëku kolektiv i shqiptarëve? O shqiptarët janë idiotë, ndryshe nga të gjithë të tjerët, që unë këtë s’e besoj, ose budallëku ishte social, nuk ishte individual, sepse shkuan të gjithë. Shkuan edhe profesorë. Nga vjen ky budallëk? Nga dëshpërimi. Nga vjen dëshpërimi? Nga situata ekonomike ku ishin shqiptarët. Ishin në një moment që: “O burra, ta kapim këtë shans se s’kemi shans tjetër”. Në qoftë se unë kam një punë stabile me një rrogë të mirë, a do t’i vë unë të gjitha të ardhurat në një firmë piramidale? S’ka sens.

Atëherë nga ndodhi ky dëshpërim social? Nga terapia e shokut. Nuk mund t’i kuptosh piramidat pa terapinë e shokut. Ama, po ta kuptosh piramidën si produkt të terapisë së shokut, nuk mund të vazhdojmë me terapinë e shokut, versioni dy.

Atë do ta quajmë korrupsion dhe aty futet Banka Botërore me “Helping Countries Fight Corruption”. Dhe kur them Banka Botërore, Daniel Kaufmann, ekonomistë të Harvardit — imagjino kapacitetin e qeverisë tonë, shoqërisë tonë, të përballet me ekonomistët më të mëdhenj të Harvardit që thonë: “Jeni të korruptuar”.

Dhe shoqëria, qeveria, e gëlltit këtë në ’98-ën. Nano e gëlltit komplet, natyrisht se edhe i duhej paraja e Bankës Botërore. Nuk kishin shumë opsione se ishin pa kokërr leku në ’98-ën. Por natyrisht e gëlltit edhe për idenë, se kur Banka Botërore thotë që ka shumë korrupsion në administratë, çfarë do të thotë opozita, që jo?

Aty shpërthen, nga ’98-2005, ai ligjërimi antikorrupsion, ku korrupsioni bëhet kali i betejës dhe ligjërimi dominues që riprodhon modelin neoliberal. Dhe kjo vazhdon dhe sot; po të dëgjosh kryeministrin Rama është e njëjta logjikë.

Në thelb, në qoftë se ti e përkufizon korrupsionin “abuzim me postin publik për interes privat”, elimino postin publik, nuk ke korrupsion. Korrupsioni është i sektorit publik, sepse është në përkufizim abuzimi i postit publik. Redukto publiken, redukto edhe korrupsionin. Me përkufizim e heq nga sektori privat. Pra vetë përkufizimi thotë: s’ka korrupsion në sektorin privat.

Po në realitet, a ka korrupsion në sektorin privat? Sepse ne po shohim që, edhe pse publike reduktohet gjithnjë e më shumë, vazhdojmë të kemi nivele goxha të larta të korrupsionit.

Pikërisht. Dhe për këtë arsye, e gjithë fushata dhe programi antikorrupsion dhe të gjitha këto politika prodhojnë më shumë korrupsion. Për dy arsye.

Këtu fillon paradoksi tjetër. Në ’96-ën ishim vendi më i suksesshëm në terapinë e shokut. Në 2005-2008 bëhemi vendi më i suksesshëm në antikorrupsion, thotë vetë Banka Botërore. Pra qeveria antikorrupsion e 2005-ës na çon te Gërdeci. Pastaj nga Gërdeci na çon te Rruga e Kombit dhe tani kemi përfunduar ku kemi përfunduar.

Çfarë ndodh? Sipas meje — hipoteza ime që përgjysmë e kam analizuar — njëra është që antikorrupsioni nuk kishte lidhje me korrupsionin. Antikorrupsioni përdoret për të vazhduar me implementimin e privatizimit, reduktimit të publikes, kalimit të aseteve publike te privati.

Dhe kjo jo thjesht si politika të Bankës Botërore. Këtu futen interesat, loja politike lokale. Vetë politikanët kanë interes t’ia japin X-it, sepse kështu përfitojnë mbështetje mediatike, elektorale dhe kontrollojnë tregun nëpërmjet procesit të privatizimit, kontrollojnë dhe privatët.

Kjo është njëra anë dhe kjo prodhon më shumë kapje shteti. Ana tjetër është: nëse ti supozon që administrata publike është në vetvete e korruptuar, burokrati është një qenie e korruptuar, që është supozimi bazë i Public Choice Theory.

E gjitha kjo bazohet te Public Choice Theory, që bazohet te paradigma e Rational Choice, Homo economicus. Përkufizimi i Homo economicus është një person që do të maksimizojë interesin privat sa herë i jepet mundësia.

Dhe kjo është ndryshimi që bëri neoliberalizmi: kaloi nga administrata publike e Weberit, ku supozohej etika e së mirës publike, dhe tha: “Ç’është kjo? Jo, burokrati është njësoj si biznesmeni. Do të bëjë lek”. Kjo është logjika.

Mos e shiko burokratin si specie tjetër. Është e njëjta logjikë e tregut. Kur t’i jepet mundësia, do vjedhë. Dhe kjo supozon që burokrati është në vetvete i korruptuar. Prandaj ti duhet ta kontrollosh, ta bllokosh, sepse po iu dha mundësia do vjedhë.

Çfarë bën kjo? Normalizon idenë e hajdutllëkut në administratë, sepse në këto kushte një burokrat që ka mundësi të pasurohet pa u penalizuar dhe nuk e bën është idiot. Është irracional. Racionale është që, kur të kesh mundësi, të vjedhësh.

Në qoftë se ti nuk vjedh kur ke mundësi, je budalla. Dhe ky është standardi që është krijuar mbas kaq vitesh këtu te ne. Ideja që një drejtor pati mundësi të pasurohet dhe nuk u pasurua quhet anomali. Në vend që të quhet model, quhet anomali.

Pra vetë fushata ka normalizuar hajdutllëkun e administratës. Nano në 2003-shin thoshte: “Ne po luftojmë korrupsionin në institucione”. Problemi është që ai burokrati, edhe kur futet i ndershëm, korruptohet në administratë, sepse e korrupton leku dhe pushteti. Kjo duket e natyrshme.

Dhe sot e shohim te Rama kur thotë që administrata ka për detyrë të prodhojë korrupsion dhe SPAK-u ta luftojë. Pra janë ndarë punët. Korrupsioni në administratë është normal. Bile ne po e furnizojmë me lëndë të parë të nivelit të lartë, korrupsion të nivelit të lartë, që ta luftojnë ata.

Dhe jemi krenarë që kemi dhënë këtë lëndë të parë në mënyrë që ata të kenë këtë produkt kaq të mirë antikorrupsion. Nuk bëhet fjalë më as për etikë, as për norma etike, sepse është normalizuar ideja që kush ka mundësi të vjedhë, do vjedhë.

Ideja që ka njerëz që nuk vjedhin edhe kur u jepet mundësia, që në fakt është përditshmëria jonë — ne në 90 për qind të rasteve nuk vjedhim edhe kur kemi mundësi të vjedhim — në administratë nuk aplikohet më. Natyrisht kjo normalizon korrupsionin në administratë, kombinuar me kapjen e shtetit. Këtu jemi pak a shumë.

Libri juaj fokusohet kryesisht te periudha ’98-2005 dhe ju shkruani që korrupsioni gradualisht, mbas kësaj periudhe, reshti së funksionuari si gjuhë politike dhe u kthye në një çështje të drejtësisë, që trajtohet nga gjykata dhe prokuroria. Çfarë ndryshoi me këtë transformim? Çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim kur korrupsioni kthehet në çështje ligjore?

Mbas 2005-2009-ës, mbas mandatit të parë të PD-së, bie antikorrupsioni si fjalor politik mobilizues. Për arsye të qarta. E para, faktori ndërkombëtar nuk financon më fushata. Në 2000-2005 kishe fushata. Ishte Albanian Coalition Against Corruption, Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarit. Ishin me miliona. Kishe aktivizëm. Shumë dolën nga kjo fushatë antikorrupsion, nga shoqëria civile.

Pra kishte një fushatë nga faktori ndërkombëtar antikorrupsion. Kishe fushata nga PD-ja, kishe vetë programin antikorrupsion që ishte prioritar i PS-së. Me skandalet e qeverisë antikorrupsion, me skandalet korruptive, bie natyrisht antikorrupsioni.

Faktori ndërkombëtar nuk financon më këto, e redukton te juridikja: do ndihmojmë SPAK-un. Dhe në 2005-ën vjen kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, që antikorrupsionin nuk e kishte kostumin e tij të forcës, sepse ishte akuzuar për korrupsion si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Për të gjithë këta faktorë bëhet politikisht i vështirë antikorrupsioni dhe faktori ndërkombëtar fokusohet tek ana juridike. Pra korrupsionin e lufton sistemi i drejtësisë.

Çfarë fitojmë këtu? Fitojmë një sistem drejtësie më të fortë dhe më të aftë për ta luftuar korrupsionin. SPAK-ut i jepen instrumentet, mundësitë. Siç e ka treguar, shpesh këto prodhojnë dhe dhunim të të drejtave të njeriut, privatësisë, sepse ka tension mes tyre. Është e vështirë t’i balancosh, aq më tepër në sistemin tonë që është shumë punitiv, me shumë mentalitet të paraburgimit e të tjera.

Por i jepen instrumentet dhe kemi një luftë shumë më të suksesshme të korrupsionit në nivelet e larta të administratës publike, por edhe reduktimin përfundimtar të korrupsionit si problem thjesht i administratës publike. Pra korrupsioni përfundimisht reduktohet te administrata publike.

Dhe çfarë bën kjo? Kjo çon në ekstrem ose konsolidon funksionin e tij neoliberal. Për ne sot është krejt e pamundur të imagjinojmë një model tjetër zhvillimi dhe fatkeqësia më e madhe e një kombi dhe një politike është mungesa e imagjinatës.

Imagjinata jonë është reduktuar. Për këtë është varfëruar edhe debati ynë politik, se pa imagjinatë nuk ka as debat, nuk ka as pasurim të fjalorit politik. Një model zhvillimi alternativ, për shembull, që ka shtetin si motor zhvillimi, jo tregun, nuk e imagjinojmë dot.

Sepse ti çdo ditë sheh korrupsionin në administratë. Si mund ta menaxhojë kjo administratë naftën tonë? Si mund ta menaxhojë kromin? Si mund ta menaxhojë bregun? Si mund ta menaxhojë Zvërnecin? T’ia japim Ivankës, vetëm ta heqim qafe.

Pra SPAK-u, padashje — jo se ky është qëllimi i SPAK-ut, jo se është faj i SPAK-ut — na vërteton atë që na thotë Rama, na ka thënë Berisha, na ka thënë Nano: shteti nuk e bën. Dhe këta vetë garantojnë që shteti të mos e bëjë. Është një profeci vetëpërmbushëse. Këta e korruptojnë shtetin dhe thonë: “Ja, ta thashë që shteti është i korruptuar”. Dhe është shumë e vështirë të dalësh nga ky qark. Kjo është ajo që kemi humbur, sepse është reduktuar korrupsioni tek ana administrative.

Megjithatë, edhe në qoftë se shkojmë me këtë logjikën e kapitalizmit dhe logjikën e tregut, që privatizimi do të na shpëtojë nga korrupsioni sepse korrupsioni është vetëm te publiku, nuk kemi parë realisht ndonjë përmirësim të industrisë shqiptare nga momenti që filloi të privatizohej.

Jo, nuk kemi parë, sepse asnjë industri nuk është fuqizuar, të paktën në historinë ekonomike të kapitalizmit, pa mbështetjen e shtetit të tij. Britania bënte luftëra për industrinë britanike. Pse kolonizoi Britania Indinë? T’i shkatërronte industrinë tekstile.

India kishte industrinë tekstile më të zhvilluar në botë. Hyri Anglia me topat, ia shkatërroi atë industri dhe u zhvillua industria e tekstileve të Anglisë. Kjo ideja e Adam Smithit, e dorës së padukshme, që kapitalizmi zhvillohet natyrshëm, lehtë, pa shtet, pa luftë, pa ndërhyrje të shtetit, është një fantazi e madhe.

Dhe elefanti në dhomë është Kina. Shiko Kinën. Merre Kinën dhe më thuaj sa është modeli zhvillimor i Kinës i ngjashëm me modelin zhvillimor që Banka Botërore i ka dhënë Shqipërisë 20-30 vitet e fundit. S’ka lidhje fare.

Por për ne është gjë e paimagjinueshme të mendosh shtetin tonë. Po marrim një rast, për shembull, Bankers Petroleum. Shtete me nivele të larta korrupsioni, si Kolumbia ku unë jetoj, e kanë shtetërore naftën. Ecopetrol quhet. Është një nga kompanitë më të suksesshme. Menaxhohet si private, por pjesën dërrmuese të aksioneve i ka shteti dhe është një nga financuesit më të mëdhenj të shtetit kolumbian për politikat sociale.

Ka Kolumbia korrupsion? Po. Ka drogë, trafik? Po. I ka të gjitha. Por ka arritur ta ndërtojë këtë. Mund të marrim edhe Brazilin, Petrobrasin. Ka raste dështimi, ka dhe raste suksesi. Për ne është e paimagjinueshme që të kemi Albpetrolin funksional.

Është e paimagjinueshme që shteti të menaxhojë një kompani që shet naftë dhe bën lek. Pavarësisht se Bankers Petroleum ka 20-30 vjet që s’na jep as lekë, as taksa, asgjë. Pse nuk imagjinojmë ne dot këtë?

E para, janë interesat aty. Ka interesa të ngushta korruptive. Por nuk është vetëm interesi. Mungon imagjinata. Sa propozime ke dëgjuar nga opozita, nga intelektualët për shtetëzimin e naftës? Është e paimagjinueshme sepse, e para, është komunizëm shtetëzimi. E dyta, shteti është i korruptuar.

Ky është paradoksi: korruptojmë shtetin që ta mbajnë shtetin partnerët tanë ekonomikë, që ta justifikojnë. Ky ligjërim është shumë i rëndësishëm për ta kuptuar. Nuk është thjesht kapja nga individët. Po të ketë një frymë popullore kundër kësaj, natyrisht që politikat ndryshojnë.

Po t’i thuash këto sot, do thonë që është i çmendur dhe të drejtë kanë: shiko se si po e menaxhojmë. Ky shtet do ta menaxhojë naftën tonë? Imagjino çfarë korrupsioni! Pavarësisht se ti thua: “Po pse, më i madh do jetë korrupsioni i shtetit se korrupsioni i Bankers?” Po shteti nga dhjetë milionë do vjedhë pesë, po do marrësh pesë. Ti ke marrë zero. Kemi 20 vjet me zero lekë.

Ky është ai deformimi që i bën korrupsioni modelit zhvillimor, ose justifikimi, legjitimimi që i bën modelit neoliberal.

Është pak a shumë ajo thënia që është më kollaj të imagjinosh fundin e botës sesa fundin e kapitalizmit...

Te ne është më kollaj, se po flas brenda kapitalizmit. Kina nuk është antikapitaliste, bile është motori i kapitalizmit. Thjesht te ne është më e lehtë të imagjinosh fundin e botës sesa fundin e modelit neoliberal të zhvillimit. Është më e lehtë se të mendosh që duhet të shtetëzosh naftën.

Imagjino pastaj të flasësh për rafinerinë e Ballshit, që e shitën për skrap. Është shumë e lehtë të imagjinosh privatizimin e gjithë Zvërnecit. S’ka problem fare. Po të imagjinosh shtetëzimin e rafinerisë së Ballshit?

Po të jap përsëri Kolumbinë si shembull, se jemi me korrupsion, trafik, drogë, që të mos më thonë “po ti po sheh Suedinë”. Nuk po shoh Suedinë fare. Në Kolumbi kanë rafineri. U bë rafineria me korrupsion, pati skandale, u vonua. Ama u bë një rafineri pesë miliardë dollarë, që është ndër më të mëdhatë në Amerikën Latine dhe i jep miliona shtetit, pavarësisht korrupsionit.

Pse të mos kemi edhe ne rafinerinë tonë? Kemi naftë, e kishim. Po këto nuk shtrohen dot, sepse ose të thonë komunist, nostalgjik i Enverit, ose të thonë që kjo është e pamundur sepse shteti është në përkufizimin e tij i korruptuar.

Po kush i korrupton administratorët? Kush jep shembullin e kapjes së shtetit, të privatizimit të publikes? Vetë politikani. Sepse korrupsioni nuk është gjë tjetër veçse privatizimi i publikes. Kush po e privatizon publiken? Kush e privatizon PD-në? Kush e privatizon PS-në? Ky është modeli.

Ndërkohë, vijmë tek aktualiteti i ditëve të sotme. Kemi një dallim shumë të madh me periudhën e viteve ’90 dhe me periudhën e ’98-2005. Për herë të parë po shohim zyrtarë të rëndësishëm qeveritarë dhe politikanë të rëndësishëm që po arrestohen, që dikur mendoheshin të paprekshëm. Si e shpjegoni këtë kontradiktë, që diskursi antikorrupsion sot e vendos të gjithë dyshimin te sektori publik dhe njëkohësisht kemi zyrtarë kaq të rëndësishëm publikë nën hetim? A është realisht progres në llogaridhënie?

Unë këtu nuk shoh ndonjë kontradiktë, sepse në momentin që korrupsioni reduktohet te publiku, normalisht që do arrestohen zyrtarë publikë dhe ndonjë biznesmen i përfshirë në marrëdhënie me publikun, siç ka ndodhur në fakt.

Kjo në vetvete është pozitive si zhvillim. Unë e shoh pozitivisht SPAK-un, gjithmonë jam shumë pro SPAK-ut, pavarësisht rezervave për paraburgimet e gjata e të tjera. Kjo është pozitive në kuptimin që askush nuk është mbi ligjin.

Kjo jep njëfarë drejtësie dhe një ndjesi qytetarëve që, në fund të fundit, ka drejtësi. Drejtësia vonon, por nuk harron. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për legjitimitetin e shtetit, për legjitimitetin social. Ka një dimension social shumë më tepër sesa dënimi specifik i zyrtarit. Jep njëfarë shprese.

Por natyrisht problemi këtu është ky paradoksi që shohim sot me qëndrimet e qeverisë: shoqëria e ka deleguar antikorrupsionin, duke e reduktuar shumë te ana juridike e abuzimit me postin, te SPAK-u dhe sistemi i drejtësisë.

Tani SPAK-u me tridhjetë prokurorë do pastrojë hauret e një administrate publike me qindra mijëra punonjës, me dhjetëra mijëra kontrata abuzive, problematike? SPAK-u është korrektues, është filtri i fundit, jo i pari.

Pra është kthyer me kokë mbrapsht lufta antikorrupsion. Aktori kryesor i luftës antikorrupsion është ekzekutivi dhe administrata publike. Ne kemi Kontrollin e Lartë të Shtetit, kemi parlament që bën ligjet antikorrupsion, kemi inspektoriate, çdo ministri ka inspektoriat, madje kemi dhe struktura kundër korrupsionit.

Vetë administrata publike është e ndërtuar kundër korrupsionit, sepse tenderat duhet të bëhen sipas procedurës. Pra zbatimi i ligjit është antikorrupsion në vetvete.

Duket sikur janë fikur të gjithë mekanizmat antikorrupsion të administratës dhe këto janë mekanizmat kryesorë. Në administratën publike kemi jo me qindra, por me mijëra punonjës që detyrë kanë antikorrupsionin, pra parandalimin, që është më i rëndësishëm.

Ne po fokusohemi te hallka e fundit, mbasi ka ndodhur. Po fokusohemi ta kapim atë mbasi e ka vrarë, ndërkohë që fokusi është: mos ta vrasë. SPAK-u hyn vonë në lojë. Problemi është si arritëm te SPAK-u. Dhe mua më duket se janë fikur të gjithë mekanizmat e tjerë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit çfarë bën? Janë me qindra zyrtarë, është një institucion shumë më i madh se SPAK-u. Para dy vjetësh Rama bëri Drejtorinë Antikorrupsion. Kishte njëzet e gjashtë koordinatorë nëpër ministri. Ku është kjo?

Ka borde mbikëqyrjeje. Çdo institucion ka borde. Ku janë këta? Arritëm te inceneratorët fantazmë ku u hodhën miliona. Pyetja është: si ka mundësi asnjë administratë nuk e vuri re këtë? 5D, drejtorët që i jepnin tenderat vetes. Administrata ka vetë mekanizmat e antikorrupsionit. Ka inspektoriate pafund. Puna e inspektoriateve është të inspektojnë. Pyetja është: ku ishin këta?

SPAK-u shumë mirë, por SPAK-u duhet të kapë ata që i kalojnë sitës së administratës. Dhe kur ndodh korrupsioni, kryeministri, në vend që të thotë: “Çfarë i ndodhi sitës? Si i kaloi? Çfarë organizmi do ndërtojmë që të mos na kalojë kjo te SPAK-u?”, del dhe thotë: “Kjo është shenjë e arritjes së suksesit të antikorrupsionit”.

Pra sa më e madhe të jetë goditja kundër korrupsionit të qeverisë Rama, aq më i madh suksesi i kryeministrit Rama në luftën antikorrupsion. Del dhe thotë: “Kam arritur sukses të madh se SPAK-u po më nxjerr korrupsionin në pah”.

Dhe ky është paradoksi: puna e SPAK-ut është të luftojë korrupsionin, puna jonë të bëjmë korrupsion. Kjo është ndarja e punës. Është komplet e kundërta. Parandalimin e bën administrata dhe shteti. Penalizimin e bën SPAK-u. SPAK-u s’mund të parandalojë korrupsionin.

Qeveria ia ka deleguar: “Merru ti, pastroje administratën”. Dhe ndërkohë që ti merresh me pastrimin, unë do them: “Po bëhesh shumë represiv. Këtë s’po e bën mirë”. Bën dhe kritikën: s’po më pastron mirë nga korrupsioni.

Në qoftë se vala e parë antikorrupsion e fundit të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000, siç shkruani dhe ju në libër, ndihmoi në vendosjen e rendit neoliberal duke legjitimuar privatizimin dhe tërheqjen e shtetit, çfarë mendoni se mund të jetë duke vendosur antikorrupsioni sot në Shqipëri?

Sot kemi dy antikorrupsione. Njëri është i SPAK-ut, i cili vetë e riprodhon rendin, sepse ajo që bën SPAK-u në thelb është që vërteton që administrata është pa shpresë, fatkeqësisht. Jo se ky është qëllimi i SPAK-ut. Jo se është faj i SPAK-ut.

Po të them unë tani: “Bjorn, unë mendoj të shtetëzoj naftën”. E para gjë që do thuash është: “Po ai drejtori i naftës do bëjë namin”. Këtë do më thuash mua, sepse nuk e kemi as konceptin që një drejtor shteti mund të jetë i ndershëm.

Vetë shoqëria do ta shikojë kështu. Dhe për mua këtu fillon ndryshimi i çipit. Ne as flasim fare për ndryshimin e çipit. Ne jemi te çipi që: normal, kush është drejtor do vjedhë. S’ka ndonjë fjalim të Edi Ramës për etikën.

Nuk ka asnjë fjalim kundër modelit të narkotrafikantit. Në Kolumbi kanë narkotrafik, por këtu janë vrarë kandidatë presidencialë që janë kundër vendosjes së trafikut. Galánin e vrau Pablo Escobar dhe Galán thoshte: modeli i narkotrafikantit është i papranueshëm për shoqërinë tonë.

Te Berisha vetëm shan Ramën, por jo modelin e narkotrafikantit. Me narkotrafikantë janë të gjithë sot. Nga të gjitha ligjërimet, fjalimet e kryeministrit Rama, s’ke një gjë kundër modelit të narkotrafikantit, që është bërë model për adoleshentët. Adoleshentët i adhurojnë këta tipa.

Ose i bën thirrje “çunave të Londrës”. Si çunave të Londrës? Po në Londër nuk ka vetëm çuna, ka dhe profesorë. Ç’janë këta çuna? Po gratë punojnë aty. Pra jo vetëm që nuk e dënojnë modelin, po e normalizojnë.

Po ky është debat tjetër. Antikorrupsioni i SPAK-ut e riprodhon modelin, kurse antikorrupsioni tjetër që unë mendoj se ti ke në mendje, që është i Flamingove, në fakt çudia është që nuk është antikorrupsion.

Unë bëra një vëzhgim të parullave të Revolucionit Flamingo. Mblodha nja njëzet parulla nga ato që pashë. Në asnjë nga parullat kryesore dhe dytësore nuk është fjala “korrupsion”.

Është çudi e madhe. Po t’i shikosh: “Shqipëria nuk është në shitje”, “Studentët janë këtu”, “Ju ka ardhur fundi”, “Rama-Berisha në burg”. Asnjëra s’e kishte fjalën “korrupsion”.

Hipoteza ime aty, nuk e di nëse është e saktë, është që korrupsioni është reduktuar te vjedhja në shtet si koncept, ka humbur atë dimensionin e degradimit të sistemit politik. Sepse ky është koncepti i korrupsionit: degradimi i një sistemi politik.

Korrupsioni nuk është thjesht një aspekt i një sistemi politik, social dhe ekonomik. Këtu ka korruptim të shoqërisë, të ekonomisë. Dhe në fakt ajo kundër së cilës po protestojnë Flamingot është degradimi i sistemit politik dhe ekonomik, që nga oligarkët deri tek politikanët.

Dhe është interesante që për këtë degradim ata nuk përdorin “korrupsionin” si koncept çadër që i përfshin të gjitha këto. Në fakt ajo kundër së cilës po protestojnë është korrupsioni, por nuk e quajnë korrupsion.

Pse? Sepse unë mendoj që ndërhyrja dhe përdorimi që kanë bërë ndërkombëtarët dhe klasa jonë politike e ka reduktuar te burokrati që vjedh, te politikani që vjedh, te administratori publik që vjedh, por jo te degradimi. Dhe në fakt, për mua, protesta është kundër degradimit, nuk është kundër një akti specifik korrupsioni.

Zvërneci, Sazani, këto janë simptomat e degradimit. Dhe ky ka qenë koncepti origjinal republikan dhe, për mua, politikisht i saktë i korrupsionit. Derisa erdhën ekonomistët dhe e limituan, sepse ata e bëjnë me shifra, duan ta matin.

Edhe ryshfeti nuk është korrupsion. Ryshfeti është produkt i korrupsionit, produkt i degradimit. Ti e merr ryshfetin se je i degraduar, nuk je i degraduar se merr ryshfet. Është marrëdhënia shkak-pasojë krejt e ndryshme.

Këtë bëri diskutimi antikorrupsion: ndërroi marrëdhënien shkak-pasojë. Këtu qëndron, them unë, pse ata s’e përdorën korrupsionin. Sepse Sazani, Zvërneci dhe të tjera janë produkte të degradimit të të gjithë sistemit.

Ku është degradimi? Degradimi është privatizimi i publikes, privatizimi i partisë. Partia politike, në përkufizim, është aksion vullnetar publik. Në momentin që ti e privatizon, e ke degraduar, e ke thyer.

Çfarë ka thyer Rama në PS? Ka thyer partinë, konceptin e partisë. Nuk është më parti. Se partia ka konkurrencë, ka fraksione, ka debate. Ky është degradimi.

Çfarë ka thyer Rama te parlamenti? Parlamenti çfarë është? Është përfaqësimi i vullnetit të qytetarëve. Çfarë përfaqëson parlamenti sot? S’ka lidhje fare me vullnetin e qytetarëve. Nuk është vullneti i qytetarëve ligji për zonat e mbrojtura që betonizohen sot.

Ai përfaqëson vullnetin e Ramës. Çfarë ka bërë Rama? Ka thyer parlamentin. Çfarë është thyer këtu? Është thyer funksioni, ideja, ideali. Kush është ideali? Parlamenti përfaqëson popullin. Kush është realiteti? Parlamenti përfaqëson kryeministrin.

E njëjta gjë me pushtetin vendor. Këshilli Bashkiak çfarë përfaqëson? Qytetarët. Këshilli Bashkiak me listë të mbyllur të partive politike s’ka lidhje me qytetin. Ke thyerje tjetër.

Ky është korrupsioni: degradimi nga idealja te gjendja ku jemi. E njëjta gjë me opozitën. Çfarë duhet të bëjë opozita? Të përfaqësojë shqetësimet e qytetarëve.

Po çfarë bën opozita? Ka hallet e veta. Pra ja ku është thyerja tjetër. Ky është degradimi, por ne nuk ia vendosëm emrin korrupsion, sepse korrupsionin këta e sekuestruan dhe e quajnë vetëm te burokrati hajdut. Sepse i duhet modelit neoliberal për të na thënë që s’ka mënyrë tjetër për t’u zhvilluar: vetëm me tregun, jo me shtetin.

Një pyetje të fundit fare. Nuk është se lidhet shumë me të gjitha këto që diskutuam, por ndoshta ka dhe njëfarë lidhjeje. Ata që na përfaqësojnë në parlament, deputetët, kanë nevojë për votën tonë për të qenë aty dhe logjika ta do që, në mënyrë që ta fitojnë prapë votën tonë pas katër vitesh, duhet të kenë bërë një punë gjysmë të mirë të paktën. Megjithatë, duket sikur në momentin që vijnë në pushtet përfaqësojnë interesa komplet të tjera, interesat e një grupi të vogël biznesmenësh që janë të lidhur me pushtetin. Dhe nuk duket sikur i shqetëson fakti që pas katër vitesh kjo mund të bëjë që të humbasin vota. Duket sikur vetë zgjedhjet janë një lloj gjëje që e bëjmë si ritual, sesa diçka që e besojmë. Edhe ne që votojmë e bëjmë pa e besuar plotësisht që vota jonë ka vlerë dhe ata që na e kërkojnë nuk është se besojnë që u duhet shumë.

Kjo më kujton një shprehje që citonte Krastev, që është problemi i zgjedhjeve që nuk prodhojnë zgjidhje. Në Bullgari e kishin shkruar një grafit në mur: “Zgjedhjet nuk ndryshojnë asgjë, se ndryshe do ishin të paligjshme”. Pra lejohen vetëm se s’ndryshojnë.

Dhe kjo është pak a shumë ndjenja që kemi ne me zgjedhjet në Shqipëri, që riprodhojnë të njëjtën gjë. Por unë do filloja nga supozimi yt i parë, që është që deputetit i duhen votat e qytetarëve. Që aty fillon problemi, thyerja, korrupsioni apo degradimi, korruptimi i sistemit.

Në fakt, asnjë deputeti të Ramës nuk i duhen votat e qytetarëve. I duhet thjesht vota e Ramës. Mjafton të futet në listë. Dhe këtu fillon thyerja e parë.

Këto janë thyerje për të cilat protestojnë njerëzit. Thyerja e parë është shkëputja mes deputetit dhe qytetarit, si pasojë e listave të mbyllura, si pasojë e sistemit partiak, si pasojë e sistemit zgjedhor dhe gjithë arkitekturës kushtetuese që përkeqësohet në 2008-ën me ndryshimet kushtetuese.

Kjo është e para. E dyta: po mirë, PS-së nuk i duhen votat e qytetarëve? Natyrisht që i duhen, por edhe PS-ja e ka kapur atë votën e vet nëpërmjet klientelizmit.

Dhe Berisha i ka treguar PS-së që, në fakt, mos u shqetëso për votën, se sado që të biesh prapë mbetesh parti kryesore. Pra PD-ja vazhdon të mbetet opozitë kryesore dhe PS-ja vazhdon të mbetet parti kryesore. Të dyja kanë rënë.

Këta i kanë zënë pritë elektoratit, për të përdorur konceptet tona shqiptare që i shpjegojnë mirë gjërat. Njëri ka zënë pritë në opozitë, tjetri ka zënë pritë në pushtet. O do vish këtej, o do vish andej. Dhe i kanë të ndara.

Dhe këtu vijmë te sistemi ynë politik. Pse nuk lindin parti të reja? Këtu ka shumë faktorë.

Një faktor natyrisht është migrimi, largimi. Është ajo që qytetarët votojnë me këmbë, jo thjesht me dorë. Dhe kanë votuar me qindra mijëra me këmbë kundër këtij sistemi. Kështu reduktohet elektorati vazhdimisht, në mënyrë që të mbahet status quo-ja. Largohen votuesit që nuk e gjejnë veten brenda këtij sistemi.

Elementi i dytë është vetë sistemi elektoral. Një partie të re i duhet dyfishi i votave për një vend në parlament sesa një partie të vjetër. Loja është “rigged”, siç thonë anglisht. Është kapur loja nga vetë partitë.

Elementi i tretë është sistemi mediatik, biznes-media. Asnjë media e madhe, asnjë biznes i madh nuk ka interes që të dalë një aktor i ri politik.

Sepse këta njohin shumë mirë Ramën, e njohin shumë mirë Berishën, Nokën. I kanë lidhjet me këta. Janë shumë komodë. Qoftë Rama në pushtet, qoftë Berisha po të vijë në pushtet, janë shumë komodë.

E njohin mirë kush është njëri, kush është tjetri, i kanë lidhjet, sepse ne jemi një politikë informale këtu. E dinë si funksionon: filani flet me filanin, flet me fistekun.

Imagjino tani që do vijë Arlind Qori. Kush është Qori? S’kanë lidhje me Qorin. “Kush është ky? Po ky mund të më prishë kontratën.” Pra nuk ka asnjë interes nga mediat të promovojnë aktorë të tjerë.

Dhe e fundit është dinamika mediatike, dimensioni i presionit, shantazhit, gjobës, me të cilin shumë media funksionojnë. Atëherë unë, si media, ose do t’i bëj fresk qeverisë kur marr diçka, por natyrisht qeveria s’mund t’u japë diçka të gjithëve gjithë kohën.

Kështu që njëri mërzitet. Dhe çfarë do bëjë? Kush është aktori më i fuqishëm që mund t’i bëjë presion qeverisë? Mbetet PD-ja, sepse ka hapësirën mediatike. Atëherë unë do mbështes PD-në. E di që nuk fiton, por ma prish punë qeverisë, sepse është në parlament, është në media. Dhe kjo riprodhon bipolaritetin.

Pa eliminuar edhe dobësitë e partive të vogla. Për shembull, te Lëvizja Bashkë apo Arlind Qori, një vërejtje që kisha atëherë ishte që nuk arriti të krijojë një aksion kolektiv, edhe për shkak të nivelit të lartë të mosbesimit që ka Shqipëria. Është shumë e vështirë të bëhesh dy-tre njerëz bashkë. Dhe këta e dinë këtë.

Dhe pa aksion kolektiv nuk ka politikë. Kështu që ti shikon se edhe partitë e reja prodhojnë shumë shpejt të njëjtat fenomene të partive të vjetra.

Për shembull, një kritikë e imja për fushatën e Lëvizjes Bashkë, të cilën unë e kam votuar dhe mbështetur, ishte se po të shikoje posterin e Lëvizjes Bashkë ishte njësoj si posteri i PS-së. Ishte fotografia “Bashkë” me fotografinë e Arlindit. Po ku jemi prapë bashkë?

Ne edhe kur bëmë fushatën në 2005-ën nxirrnim fotografi me njëzet veta, se ishte ideja “bashkë”. PS-ja kishte vetëm Edin. Tani vetëm me Edin, vetëm me Arlindin.

Por këto janë më dytësore për mua, nuk janë primare. Primare është struktura media-biznes-politik që riprodhon këtë ofertë. Pra oferta është konsoliduar.

Bien të dyja me të njëjtin ritëm dhe mbajmë të njëjtin raport forcash.

Shumë faleminderit.

Faleminderit.

Lini një Përgjigje