Policët marrin zvarrë protestuesen me probleme shëndetësore

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.10.2026, 00:51

Dhuna policore ka shoqëruar edhe protestën e 133-të kundër qeverisë. Një grua e identifikuar si Ana është marrë zvarrë nga efektivët e policisë në sheshin “Skënderbej”, në një gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa pamjet e publikuara tregojnë se ajo është tërhequr zvarrë nga disa punonjës policie.

Sipas avokatit Altin Goxhaj, situata është përkeqësuar më tej pas shoqërimit të protestueses në Komisariatin nr. 3. Ai pretendon se gruaja ka qëndruar për rreth 30 minuta në autoambulancë, brenda oborrit të komisariatit, pa u transportuar drejt spitalit, pavarësisht gjendjes së saj shëndetësore.

“Shikojeni zonjën sa keq është, shikojeni si e kanë rrëmbyer”, shprehet Goxhaj në videon e publikuar, ku thotë se mjekët vendosën që ajo duhej të dërgohej në spital. Sipas avokatit, transportimi u bë vetëm pasi mjekët këmbëngulën për dërgimin e saj për trajtim të mëtejshëm.

Goxhaj ngre gjithashtu akuza për paligjshmëri në shoqërimin e protestueses dhe pretendon se policia ka penguar ushtrimin e të drejtës për mbrojtje ligjore për protestuesit e tjerë të ndaluar.

Sipas tij, gjithsej tetë protestues janë shoqëruar dhe shpërndarë në tri komisariate të ndryshme, ndërsa avokatëve u është refuzuar informacioni për identitetin e tyre dhe mundësia për t'i takuar.

Pamjet e gruas në gjendje të rënduar shëndetësore dhe mënyra se si ajo është shoqëruar ngrenë pikëpyetje serioze mbi trajtimin e protestuesve nga efektivët e policisë. Nëse konfirmohet se një qytetare në atë gjendje është mbajtur për rreth 30 minuta në ambulancë pa u dërguar në spital, rasti kërkon një shpjegim të menjëhershëm nga autoritetet.

Deri më tani, në informacionin e bërë publik nuk ka një reagim nga Policia e Shtetit për rrethanat e shoqërimit të gruas dhe pretendimet e avokatit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit