Shpërthimi që tronditi Gjirokastrën/ Humb jetën njëri nga të plagosurit, po transportohej drejt Traumës

11 Tetor 2026, 07:50Kronika TEMA
Shpërthimi që tronditi Gjirokastrën/ Humb jetën njëri

Një person ka humbur jetën pas shpërthimit të një automjeti tip “Mercedes-Benz” mbrëmjen e së shtunës në qendër të Gjirokastrës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 në bulevardin “18 Shtatori”, pranë godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Gjykatës së Gjirokastrës. Automjeti ishte në lëvizje në momentin kur ndodhi shpërthimi dhe më pas përfundoi mbi trafikndarëse.

Në mjet ndodheshin Beqir Devolli, i cili e drejtonte atë, dhe Rigels Mela. Të dy mbetën të plagosur dhe u transportuan fillimisht për ndihmë mjekësore në spital.

Devolli ishte në gjendje të rëndë dhe u nis drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, ai humbi jetën gjatë transportimit drejt kryeqytetit.

Rigels Mela, personi tjetër që ndodhej në automjet, është jashtë rrezikut për jetën.

Shpërthimi i së shtunës ishte i fuqishëm dhe u dëgjua në një pjesë të madhe të qytetit, duke shkaktuar panik te banorët dhe kalimtarët në zonën e bulevardit “18 Shtatori”.

Deri në këto momente, Policia e Gjirokastrës nuk ka dhënë një version përfundimtar për shkakun e shpërthimit. Paraprakisht dyshohet se mund të jetë përdorur lëndë eksplozive, ndërsa ekspertiza pritet të përcaktojë natyrën dhe sasinë e saj.

Gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës në Gjirokastër ka mbërritur edhe një grup specialistësh nga Tirana, të cilët po punojnë së bashku me grupin hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Dyshimet paraprake kanë qenë se objektiv i mundshëm i sulmit mund të ketë qenë Rigels Mela. Në prill të vitit 2025, edhe automjeti i tij ishte përfshirë nga flakët pas një shpërthimi, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse mes dy ngjarjeve ekziston ndonjë lidhje.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e shpërthimit dhe për të identifikuar personat që mund të kenë lidhje me ngjarjen.

Lini një Përgjigje