Gazetari Gjergj Erebara thotë se Banka e Shqipërisë po blen para të tepërta në tregjet ndërkombëtare, duke çuar kështu në rritjen e inflacionit në vend e për rrjedhojë edhe duke gërryer mirëqenien e gjithë shqiptarëve. Duke mos e kuptuar dot se pse banka e Shqipërisë ka blerë 430 milionë euro për tre muaj, prill, maj e qershor, gazetari ngre pikëpyetjet se cila është analiza e bërë që çon në këto ndërhyrje të jashtëzakonshme të bankës.
“Këto ndërhyrje të jashtëzakonshme, fillojnë që nga viti 2024. Që nga ajo kohë, banka e Shqipërisë ka blerë 1.85 miliardë euro për shmangien e forcimit të lekut”, shkruan Erebara në postimin e vet.
Konstatimi i plotë:
Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave, do të rëndojë më tej inflacionin mbi të gjithë shqiptarët. Banka njoftoi të shtunën se ka blerë 381 milionë euro “për shmangien e forcimit të lekut” dhe 47.5 milionë të tjera si pjesë e politikës së saj të zakonshme për rritjen e rezervës valutore të vendit.
Blerjet 47.5 milionë janë politikë e zakonshme monetare, ndërsa blerja e 381 milionë eurove bie në kategorinë e “ndërhyrjeve të jashtëzakonshme”. Ndërhyrjet e jashtëzakonshme normalisht, siç e thotë edhe emri, duhet të zgjasin për një periudhë të kufizuar kohore. Por në rastin e Shqipërisë, këto blerje vijojnë që nga korriku i vitit 2024.
Që nga kjo kohë, Banka e Shqipërisë ka blerë 1.85 miliardë euro “për shmangien e forcimit të lekut”. Përgjatë kësaj periudhe, leku është forcuar më tutje, nga 100 lekë për euro në 92 lekë për euro. Blerjet masive të eurove duket se dalin jashtë mandatit të Bankës së Shqipërisë “për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve” dhe po shkatërrojnë aftësinë e vendit për të bërë politikë monetare, si dhe po shkaktojnë inflacion.
Të gjitha këto euro po blihen me lekë të prodhurara rishtaz, jashtë programit të zakonshëm të politikës monetare. Masa monetare M2 është rritur me 16% këtë vit, nga 5 apo 6% që është rritja normale. Një ortek parash të tepërta po hyjnë në treg, duke shkaktuar inflacion dhe duke gërryer mirëqenien e të gjithë shqiptarëve, për interes të pak trafikantëve të drogës që duan të parkojnë fitimet e lehta në formën e betonit në Shqipëri.
