Blerina Matraku ka reaguar publikisht pas vëmendjes së krijuar nga publikimi i videove intime të lidhura me kompozitorin Adi Hila. E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, këngëtarja ka treguar versionin e saj të ngjarjeve, duke theksuar se mes tyre nuk ka asnjë detyrim financiar për këngët që kanë realizuar së bashku.
Matraku u shpreh se dëshiron të tregojë anën e saj të historisë, pasi, sipas saj, situata nuk është ashtu siç mund të duket nga jashtë.
“Jam këtu për të thënë të vërtetën time, për të mbajtur peshën që më takon dhe për të ndarë me ju një pjesë të historisë, me të cilën njerëzit mund të kuptojnë që ‘prit se ky njeri nuk është fajtor aq sa e kanë fajësuar’”, tha ajo.
Këngëtarja tregoi se bashkëpunimi i saj me Adi Hilën kishte nisur në vitin 2007, pasi e kishte kërkuar për muaj të tërë për shkak të reputacionit dhe seriozitetit të tij si kompozitor.
Sipas Matraku-t, ajo i kishte kërkuar të realizonin një album dhe e kishte paguar 10 mijë euro për këtë projekt. Ajo shpjegoi se paratë i kishte mbledhur përmes angazhimeve në evente e dasma, si dhe nga puna si stjuardesë. Për shkak të shumës së konsiderueshme për të në atë kohë, kishte marrë ndihmë edhe nga miqtë.
“I kërkova një album dhe e pagova me 10 mijë euro, për të cilat unë ato lekë i kam kursyer me eventet, dasmat dhe punë si stjuardesë që bëja në atë kohë; më kanë ndihmuar edhe miq të mi, sepse ishin shumë lekë për mua. I mblodha”, u shpreh ajo.
Matraku mohoi kategorikisht të ketë ndonjë borxh ndaj kompozitorit për këngët e saj, duke shtuar se kishin menduar të merrnin pjesë së bashku në kompeticione të ndryshme muzikore.
“Nuk i kam absolutisht asnjë lloj borxhi ndaj këngëve të mia dhe as nuk më ka”, deklaroi këngëtarja.
Ajo pranoi se e ka të vështirë të flasë për aspektin personal të marrëdhënies me Hilën, duke qenë se bashkëpunimi i tyre kishte zgjatur katër vjet.
Gjatë rrëfimit, Matraku foli edhe për ngarkesën emocionale që po përjeton në këtë situatë, duke u shprehur se ndihet e gjykuar dhe se dëshiron që publiku të dëgjojë edhe versionin e saj të ngjarjeve.
“Ke një person të zhveshur nga çdo lloj morali dhe, edhe pse nuk e kam merituar deri në këtë pikë, duke mbajtur përgjegjësitë e mia, ke përballë vetes një person të vdekur që po frymon, e kryqëzuar”, tha ajo.
Këngëtarja shtoi se të gjithë mund të bëjnë gabime ose të gjenden në situata ku përfundojnë duke u fajësuar, edhe kur, sipas saj, gjërat nuk janë ashtu siç paraqiten.


