
I dërguari dhe negociatori presidencial rus, Kirill Dmitriev, i ka cilësuar si “ikonike dhe historike” deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërkoi që Ukraina të ketë një udhëheqës të ri, të aftë për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë.
Në një postim në platformën X, Dmitriev mbështeti qëndrimin e Trumpit, duke pretenduar se Ukrainës i nevojitet një lidership i orientuar drejt paqes dhe jo drejt vazhdimit të luftës.
“Presidenti Trump bashkohet me ata që besojnë se Ukrainës i duhet një udhëheqje e orientuar vërtet drejt paqes, në vend të nxitjes së luftës nga Zelensky. Ikonike dhe historike”, shkroi Dmitriev.
Përfaqësuesi rus pretendoi gjithashtu se ajo që e cilësoi si “diplomacia e naftës diesel” ka ekspozuar pozicionin e presidentit ukrainas.
Në një tjetër postim, Dmitriev publikoi kopertinën e revistës amerikane Time të vitit 2025, ku shfaqet Volodymyr Zelensky me mbishkrimin “The Endgame” (“Fundi i lojës”).
Reagimi i tij erdhi pasi Donald Trump ashpërsoi kritikat ndaj homologut ukrainas, duke deklaruar se Ukraina duhet të ketë një president të ri, i cili mund të arrijë një marrëveshje me Moskën. Trump e ka kritikuar Zelenskyn edhe për sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke i lidhur ato me rritjen e çmimeve të naftës diesel në SHBA./Versus.al

