Shqipëria do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme edhe këtë të diel, më 11 tetor. Në pjesën më të madhe të vendit priten reshje shiu, ndërsa në veriperëndim dhe jugperëndim mund të ketë shtrëngata të shkurtra, shkarkesa elektrike dhe breshër.
Sipas parashikimit meteorologjik, dita do të karakterizohet nga vranësira dhe intervale të shkurtra kthjellimesh. Reshjet do të jenë kryesisht me intensitet të ulët deri mesatar, por në disa zona mund të bëhen më intensive.
Gjatë ditës, shiu do të vijojë kryesisht me intensitet të ulët, ndërsa në zonat veriperëndimore dhe jugperëndimore nuk përjashtohen episode me reshje mesatare dhe shkarkesa elektrike.
Në disa zona pritet gjithashtu mjegull e dendur lokale dhe mjegullinë, të cilat mund të kufizojnë dukshmërinë, veçanërisht gjatë reshjeve.
Era do të fryjë nga juglindja në lindje, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s. Në vijën bregdetare, zonat luginore dhe ato malore, shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 16 m/s.
Në det parashikohet valëzim i forcës 3–4 ballë.


