Alkooli dhe duhani zënë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të familjeve shqiptare, ndërsa shpenzimet për këto produkte kanë ardhur në rritje. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2025, pijet alkoolike dhe produktet e duhanit përbënin 4.3% të shpenzimeve mesatare mujore të familjeve, nga 4.2% që ishte kjo peshë një vit më parë.
Një familje në Shqipëri shpenzoi mesatarisht 95,227 lekë në muaj gjatë vitit 2025. Duke u bazuar në peshën që zënë alkooli dhe duhani në buxhetin familjar, rezulton se rreth 4,100 lekë në muaj shkojnë për këto produkte. Në një vit, shuma arrin në afërsisht 49 mijë lekë për familje.
Rritja e shpenzimeve për këtë kategori është edhe më e dukshme në krahasim me zërat e tjerë të buxhetit. Në vitin 2025, ato u rritën me 5.1% krahasuar me vitin paraardhës, më shumë se dyfishi i rritjes së përgjithshme të shpenzimeve familjare, e cila ishte 2.3%. Kjo ishte ndër rritjet më të larta të regjistruara gjatë vitit, pas asaj për argëtimin dhe kulturën.
Pesha që zënë alkooli dhe duhani në buxhetin familjar është gjithashtu më e lartë se shpenzimet për disa nevoja të tjera. Sipas të dhënave, për këto produkte shkonin 4.3% e shpenzimeve, ndërsa për shëndetin 3.4%, arsimin 3.3%, komunikimin 3.7% dhe argëtimin e kulturën 2.8%.
Në rang vendi, shpenzimet mujore për konsum arrijnë në rreth 72.3 miliardë lekë. Një përllogaritje e Scan Intel, bazuar në peshën prej 4.3% që zënë pijet alkoolike dhe duhani, e çon shumën e shpenzuar për këto produkte në rreth 3.1 miliardë lekë në muaj, ose afërsisht 37 miliardë lekë në vit. Kjo është një përllogaritje e nxjerrë nga të dhënat e INSTAT dhe jo një shifër e publikuar drejtpërdrejt nga institucioni.
Në këtë kategori, INSTAT përfshin pijet alkoolike që blihen zakonisht për konsum në shtëpi, si vera, birra, rakia dhe uiski, si dhe cigaret, purot e produkte të tjera të duhanit. Ndërkohë, shpenzimet për konsumimin e alkoolit në bare dhe restorante klasifikohen në një kategori tjetër, çka do të thotë se fatura e përgjithshme për këto produkte mund të jetë edhe më e lartë.


