Ambasadori amerikan në Tiranë, zoti Eric Wendt, ka filluar punën zyrtarisht në Shqipëri. Ka gati një muaj këtu tani. Ky ishte lajm, se kishim kohë pa ambasador. Ai paraqiti letrat kredenciale te Presidenti i Republikës, u takua me kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, Ministrin e Punëve të Jashtme, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të organeve të drejtësisë, këta madje, nga dy herë etj. Dhe vazhdon takimet ambasadori edhe me përfaqësues të tjerë të popullit shqiptar. Për atë punë paguhet.

Vetëm një gjë nuk e ka bërë akoma deri më tani gjenerali amerikan me shumë grada në gjoksin e tij: nuk ka takuar liderin numër një të opozitës shqiptare, zotin Sali Berisha. Nuk ka gjetur dot asnjë minutë kohë të lirë në axhendën e tij të ngjeshur për një takim të tillë me rëndësi historike për marrëdhëniet midis dy vendeve aleate. Kjo përbën ngjarje. A e di ambasadori i ri amerikan, me moshë jo fort të re, që Shqipëria është vend demokratik, ku ka pozitë dhe opozitë apo jo? Dhe ky, lideri kryesor i opozitës së vendit pret, pret, e pret me padurim që t’i vijë një ftesë ose kërkesë ose lutje për takim nga ambasadori. Por ftesa/kërkesa/lutja  deri tani nuk po duket që nuk po duket në horizont.

Ka një kapitull te romani i Dritëroit për Zylon me titull: “Shoku Zylo pret një ftesë”. Është fjala për një Koncert Jubilar që jepej në Teatrin e Operës me rastin e festës kombëtare. Për atë koncert kishte ftesë edhe Zenepja, e shoqja e Demkës, që i shkruante fjalimet Zylos (ju lutem, mos e ngatërroni me Zegjinenë, deputeten e sotme socialiste të Fierit, mikeshë e Gazit.)  

Për atë koncert jubilar ëndërronte dhe priste me padurim të kishte një ftesë edhe shoku Zylo, si personalitet i shquar në Ministri, por ftesa për të nuk erdhi që nuk erdhi kurrë. Para koncertit Zyloja sillej te shkallët e Pallatit të Kulturës, gjoja sikur kishte ftesë, por ftesë hiç. Kështu tani edhe me ftesën (e munguar) të ambasadorit amerikan për takim kokë më kokë me shokun Sali.  A e ka lexuar ambasadori i ri amerikan romanin e shokut Zylo apo jo? Romani është i përkthyer edhe në anglisht. Ta lexojë pra, se do t’i duhet për të njohur më mirë vendin e shqiponjave.

A e di ambasadori se cili është lideri i opozitës kryesore të vendit tonë? Mos vallë nuk ia kanë treguar ende dhe ne po e bëjmë fajtor kot atë? Sepse deri tani ai ka takuar disa herë deputetë të opozitës, të ftuar prej tij në takim, nuk është se nuk e ka takuar opozitën, por liderin e tyre ende jo. Ky është problemi. Dhe shoku Zylo, më falni, shoku Sali, pret me padurim ftesën nga ambasadori për takim me të.

Përpara se të nisej me punë si diplomat  në vendin e largët ballkanik, gjenerali ka bërë një kurs disa - mujor, ndoshta edhe më shumë, duke lëçitur me kujdes në Washington ato se çfarë kanë shkruar paraardhësit e tij ambasadorë për Shqipërinë dhe për politikanët shqiptarë të këtushëm etj. Veçanërisht se çfarë ka shkruar në kabllogramet e saj ajo paraardhësja e tij, ambasadorja Kim në Tirane. Se, domosdo, nuk mund të nisesh e të shkosh në një vend të panjohur si ai miku i paftuar në dasëm, si gjenerali i ushtrisë së vdekur në dasëm te romani i Kadaresë, pa ditur se çfarë kanë thënë e shkruar të tjerët për të.

Ah, këto kabllogramet e shkreta, na morën në qafë! Atje janë të shënuara të gjitha, të gjitha me hollësi se çfarë ndodh këtu. Ndoshta në to është e shënuar, pa dashur, kuptohet, edhe ajo “vërejtja me shkrim”,  domethënë dekorata “non gratta” që ka marrë Berisha dikur, nga qeveria e kaluar amerikane dhe e ka mësuar pastaj edhe ambasadori i ri pra.

Sidoqoftë, Zoti Berisha nuk duhet t’i humbasë përfundimisht shpresat për takimin. E ka një shans për të qenë nën të njejtën çati me ambasadorin në të ardhmen. Kur të japë Presidenti i  Republikës pritje në Pallatin e Brigadave me rastin e festave të Nëntorit, do t’i ftojë atje siç ben gjithmonë edhe deputetët shqiptarë, edhe ambasadorët e huaj. Kështu pra, ja rasti i artë. Vetëm se varet a do të jetë përsëri i lirë ambasadori, sepse atje do të ketë shumë të ftuar dhe nuk të bie radha t’i takosh të gjithë. Kështu, mund të ndodhë që në shkallët e Pallatit të Brigadave për zotin Sali, të ndodhë e njëjta gjë, siç ndodhi te shkallët e Pallatit të Kulturës me shokun Zylon me ftesën (e munguar) për koncertin dikur.  

Duan të thonë se ambasadori i ri amerikan bën “hile diplomatike”. Ai fton dhe takon  kryetarin e grupit parlamentar dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike të këtushme. Me këtë ai u thotë shqiptarëve: unë jam përfaqësues i shtetit amerikan dhe kam punë vetëm me përfaqësuesit e shtetit shqiptar, jo të partive. As te kulla mavi  e Partisë Soçialiste nuk kam shkuar. I mençur gjenerali i shumë betejave në fushën e luftës. Me këtë veprim ambasadori vret dy zogj me një gur: edhe opozitën shqiptare e takon (Gazin e të tjerë deputetë pra) edhe “non grattën” e anashkalon. Supozime janë këto, kuptohet, nuk ka konfirmime zyrtare nga burime të pavaruara deri tani për to.   

E takoi apo s’e takoi ambasadori amerikan Berishën xhanëm? Mos vallë e ka takuar more, por mediave shqiptare fatalisht u ka shpëtuar ky “event” i rëndësishëm që shet gazetat?  Apo mos vallë takimi ka qenë i fshehtë, gju më gju e vesh më vesh, larg syve të publikut? A e di ambasadori i ri që, sipas burimeve serioze të PD-së, veçanërisht sipas deponimeve të specialistit për çështjet amerikane të asaj partie, deputetit Këlliçi, “non gratta” e Berishës është hequr (zeruar) nga qeveria amerikane apo jo? 

Në këtë ndërkohë të mbërritjes së ambasadorit të ri në vendin tonë, në fillim të tetorit e më tej  ia kanë behur këtu edhe disa senatorë e kongresmenë amerikanë që jane takuar në kryeministri me të “zotin” e shtëpisë Rama e të tjerë. Por as ata nuk gjetën dot kohë të mundshme të hidheshin për disa minuta deri të selia e SHQUP-it për të takuar liderin kryesor të opozitës shqiptare. E përse ta takonin? Ai ishte vetë  për vizitë “shumë të sukseshme”, siç e deklaroi vetë, në Amerikë dhe i takoi të gjithe atje, duke i shteruar të gjitha problemet midid dy vendeve, siç tha po vet. Nuk kishin përse miqtë e lartë amerikanë të harxhonin kohë të çmuar për takim me Berishën këtu. 

Në mungesë të një ftese të tillë për një takim me rastin e ardhjes së tij sefte në Shqipëri, (se ka qenë dhe pritet të jetë shumë i zënë me punë edhe në të ardhmen ambasadori) ndoshta pritet që Ai, ambasadori pra,  t’i dërgojë ndonjë telegram urimi liderit të opozitës shqiptare me rastin e 16 tetorit, 82- vjetorit të lindjes së udhëheqësit të madh. Ndoshta do t’ia këshillojnë të vetët që ta bëjë një gjë të tillë. Makari, një urim me shkrim për “pleqëri të bardhë” nuk do të ishte keq nga diplomati i lartë i përtej oqeanit për të./TemA