Promovohet në Tiranë romani "“Mbaje frymën” i Emilios Solomou

11 Tetor 2026, 13:02Kulturë TEMA
Promovohet në Tiranë romani "“Mbaje frymën” i

Shkrimtari qipriot Emilios Solomou prezantoi në Tiranë romanin e tij “Mbaje frymën”, tashmë të përkthyer në gjuhën shqipe. Vepra trajton historinë e një mësuesi, jeta e të cilit përmbyset pas një akuze për ngacmim seksual ndaj një nxënëseje, duke e vënë përballë policisë, medias, opinionit publik dhe vetvetes.

Teksa përpiqet të rindërtojë atë që ka ndodhur, kufiri mes fajit dhe pafajësisë, kujtesës dhe harresës, realitetit dhe përfytyrimit bëhet gjithnjë e më i paqartë.

“Gjen një nxënëse që i thotë që ta prekë. Ai nuk e prek, por mendon çfarë do të ndodhte sikur vërtet ta bënte. Do t’i shkatërrohej karriera, familja, do të përjashtohej nga shoqëria. Shoqëria i ngarkon patogjenezën e plagëve të saj. Është një fenomen që ndodh shpesh në të gjitha shoqëritë e sotme”, u shpreh shkrimtari Emilios Solomou.

Romani nxit reflektimin mbi gjykimin, fajin, brishtësinë njerëzore dhe fuqinë e heshtjes. Vepra vjen në shqip përmes përkthimit të Kristo Pullës, i cili tha se vendosi ta sillte për lexuesin shqiptar pasi tema i kujtoi disa raste të ngjashme në vend.

“Është një temë që më kujtoi disa raste të ngjashme në vend dhe mendova që ky libër do të ishte i vlefshëm edhe për lexuesin shqiptar, që të ndërgjegjësohej për përballimin e rasteve të ngjashme”, tha përkthyesi Kristo Pulla.

Promovimi u zhvillua në kuadër të Festivalit Letrar për të Rinj, i cili për tre ditë bëri bashkë në ambientet e Vilës 31 autorë ndërkombëtarë dhe zëra bashkëkohorë të letërsisë shqipe.

“Festivali shërbeu si një hapësirë takimi mes shkrimtarëve, lexuesve, përkthyesve, botuesve dhe publikut”, tha Irena Toçi, drejtuese e Festivalit për të Rinj. A.K./TemA

Lini një Përgjigje