Një lokal i përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit është goditur nga Policia në Has, ku u sekuestruan makineri elektronike, tavolinë pokeri dhe dokumente me shënime për shumat e luajtura.

Në operacionin “Pokeri”, u arrestua një 47-vjeçar, punonjës i lokalit, ndërsa pronari 34-vjeçar është shpallur në kërkim. Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, policia sekuestroi 10 makineri elektronike “APEX”, tavolinën e pokerit, një fletore me shënime për shumat e luajtura dhe një aparat celular.

Sipas Policisë, operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, në kuadër të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Ata janë në akuzë për veprat penale të fshehjes së të ardhurave, mospagimit të taksave dhe tatimeve, organizimit të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin dhe vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë