Një 47-vjeçar me inicialet A. D. është arrestuar në Krumë të Hasit, ndërsa pronari i lokalit, 34-vjeçari E. Q., është shpallur në kërkim, pasi ambientet dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit të paligjshme.
Gjatë kontrollit u gjetën 10 makineri elektronike të markës “APEX”, një tavolinë pokeri, fletore me shënime për shumat e luajtura dhe një aparat celular.
Të dy personat dyshohen për vepra penale që lidhen me organizimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, fshehjen e të ardhurave dhe mospagimin e taksave e tatimeve.
Njoftimi i Policisë:
Has/ Zbulohet dhe goditet një tjetër rast i zhvillimit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Sekuestrohen 10 makineri elektronike, 1 tavolinë pokeri dhe sende të tjera.
Shpallet në kërkim pronari i lokalit që e kishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit.
Vihet në pranga një 47-vjeçar, punonjës i lokalit.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pokeri”, arrestuan në flagrancë shtetasin A. D., 47 vjeç, banues në Krumë, Has.
Gjithashtu, shpallën në kërkim shtetasin E. Q., 34 vjeç, banues në Krumë, Has, pronar i lokalit.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 makineri elektronike të markës “APEX”, 1 tavolinë pokeri, fletore me shënime për evidentimin e shumave të luajtura dhe 1 aparat celular.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
© SYRI.net