Mijëra njerëz protestuan të shtunën që lamë pas në Londër dhe Berlin, duke kërkuar përfundimin e sulmeve të Izraelit ndaj Rripit të Gazës, tre vjet pas fillimit të luftës, e cila u shkaktua nga sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Në Londër, protestuesit dënuan “gjenocidin që po vazhdon prej tre vitesh në Gaza” dhe i bënë thirrje qeverisë britanike të vendosë “sanksione gjithëpërfshirëse” ndaj Izraelit. Megjithatë, premtimet nuk janë mbajtur dhe sulmet ndaj Gazës vazhdojnë çdo ditë.
Gjatë protestës, e cila u zhvillua nën mbikëqyrje të rreptë policore, demonstruesit brohoritën slogane si “Palestinë e lirë, Palestinë e lirë” dhe “Pushtimi është krim”. Ata mbanin gjithashtu pankarta me mbishkrimet “Sanksione ndaj Izraelit tani” dhe “Mobilizimi kundër një gjenocidi nuk është krim”.
Një kundërprotestë e zhvilluar në Londër mblodhi dhjetëra persona dhe u organizua pranë selisë së Scotland Yard-it.
Në Gjermani, protesta u organizua në Berlin nga nisma “United for Palestine” dhe mblodhi 3.500 persona.
Shumë protestues mbanin pankarta me slogane kundër eksporteve të armëve gjermane drejt Izraelit.
Pesha historike e Holokaustit e ka shndërruar Gjermaninë në një nga mbështetëset kryesore të Izraelit. Sipas parlamentit gjerman, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, qeveria gjermane lëshoi licenca për eksportin e pajisjeve ushtarake drejt Izraelit me vlerë 736 milionë euro.
Gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit u vranë 1.221 persona. Sulmi hakmarrës izraelit që pasoi dhe që ka vazhduar që atëherë, ka shkaktuar vdekjen e 74.200 personave në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit në enklavën palestineze. Të dhënat e kësaj ministrie konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.
© SYRI.net