Çmimi i Madh i Indonezisë i dhuroi një tjetër fitore motoçiklizmit italian që regjistroi fitoren e 300 dhe në të njëjtën kohë ishte edhe një moment historik për Aprilian. Marco Bezzecchi triumfoi në pistën e Mandalikës duke fituar duelin me Raul Fernandez, me Aprilian që pushtoi të 4 vendet e para të garës duke e lënë pas si atë ashtu edhe Jorge Martin që u pozicionua në vendin e tretë.

Në vendin e katërt u pozicionua  Ai Ogura, ndërkohë që Marc Marquez nuk shkoi më shumë se vendi i gjashtë me kampionin e botës në fuqi që e humbi menjëherë kryesimin në klasifikimin e përgjithshëm.

Gara nisi me Raul Fernandez në pole position me spanjollin që u desh të mbrohej menjëherë nga sulmet e Marc Marquez që bëri një start shumë të mirë nga jashtë.  Por piloti i Ducatit e merr gjerë trajektoren duke zbritur në vendin e tretë dhe për të humbur më shumë terren gjatë garës. Kështu që në krye ishin Fernandez dhe Bezzecchi të cilët krijuan një shkëputje të konsiderueshme që në xhirot e para. Në ndjekje të tyre u vu Jorge Martin që u ngjit në vendin e tretë, ndërsa Aldeguer u rrezua dhe u tërhoq nga gara. Pak çaste më vonë të njëjtin fat pati edhe Bagnaia. Me kalimin e xhirove Fernandez dhe Bezzecchi u bënë të pakapshëm dhe në xhirot te fundit Bezzecchi bëri sulmin e tij duke i marrë kreun spanjollit për të kaluar i pari vijën e finishit për fitoren e 300 të pilotëve italianë në klasin mbretëror të kampionatit të MotoGP.

Pas Bezzecchit dhe Fernandez, ishte Jorge Martin që plotësoi podiumin duke lënë pas Oguran për një poker historik të Aprilias. Pedro Acosta u  rendit në vendin e pestë, duke lënë pas Marc Marquez që e sheh sërish veten në vendin e dytë të klasifikimit për pilotë me 2 pikë më pak se Jorge Martin që u rikthye në vendin e parë me 355 pikë, ndërsa Bezzecchi është në vendin e tretë.

Top Channel