Radev uron Kurtin për qeverinë e re dhe e fton në vizitë zyrtare në Bullgari

Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ka mbërritur një letër urimi nga kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, pas formimit të Qeverisë së re dhe nisjes së mandatit të tij të ri, përcjell Bota sot.

Radev i ka përcjellë Kurtit urimet e tij më të përzemërta, ndërsa ka çmuar përkushtimin e tij në forcimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe në integrimin e saj në bashkësinë ndërkombëtare.

Të lidhura

None found

Letra nënvizon edhe përkrahjen e qeverisë bullgare për rrugën integruese të Kosovës, duke përfshirë synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës.

“Ju siguroj për gatishmërinë e qeverisë së drejtuar prej meje për të vazhduar mbështetjen për ofrimin e një perspektive të qartë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”, thuhet në mesazhin e Radevit.

Radev e ka përmbyllur letrën me ftesën drejtuar Kurtit për një vizitë zyrtare në Bullgari. Sipas tij, kjo vizitë do të ndihmonte në forcimin e mëtejshëm të raporteve dypalëshe dhe në ngritjen e partneritetit mes dy shteteve në një nivel më të avancuar.


Shtuar më 11.10.2026 10:37

Quantcast