Shërbimet europiane të inteligjencës paralajmërojnë për intensifikimin e operacioneve ruse të sabotimit në Europë, me në shënjestër edhe drejtues të kompanive të industrisë së mbrojtjes që mbështesin Ukrainën. Sipas Financial Times, zyrtarë nga pesë agjenci europiane të inteligjencës thonë se operativët e Kremlinit po synojnë gjithnjë e më shumë drejtues ekzekutivë dhe figura të tjera të rëndësishme të këtij sektori.
Rreziku nuk prek vetëm prodhuesit e mëdhenj të armëve, por edhe kompani më të vogla që prodhojnë dronë dhe pajisje ushtarake. Për këtë arsye, një pjesë e tyre kanë shtuar masat e sigurisë për drejtuesit dhe personelin.
Shërbimi gjerman i inteligjencës së brendshme, BfV, ka intensifikuar kontaktet me kompanitë e mbrojtjes dhe u ka rekomanduar masa shtesë sigurie, përfshirë mbrojtjen private për drejtuesit. Kreu i këtij shërbimi, Sinan Selen, u ka thënë ligjvënësve gjermanë se Rusia po planifikon qëllimisht akte dhune ndaj individëve, përmes aktorëve shtetërorë ose strukturave nën kontrollin e shtetit. Sipas tij, në këto operacione po përfshihen gjithnjë e më shumë edhe grupe të krimit të organizuar.
Burime të inteligjencës dyshojnë se pas shumë prej këtyre planeve qëndron GRU-ja, agjencia e inteligjencës ushtarake ruse. Operacionet, sipas tyre, organizohen përmes ndarjes së detyrave mes grupeve të ndryshme, të cilat merren me vëzhgimin, logjistikën, planifikimin dhe zbatimin.
Zyrtarët e sigurisë bëjnë të ditur se disa plane janë zbuluar dhe parandaluar, ndërsa në raste të tjera është konstatuar mbikëqyrje e dyshimtë pranë banesave dhe vendeve të punës së personave të shënjestruar. Sipas tyre, krijimi i pasigurisë synon të dekurajojë kompanitë që bashkëpunojnë me Ukrainën.
Presioni dyshohet se po shtrihet edhe te kompanitë e energjisë dhe ato që operojnë në infrastrukturën kritike, ndërsa kostot për mbrojtjen e personelit dhe objekteve po rriten.
Grupet e mëdha europiane të armatimit kanë rritur nivelin e gatishmërisë që nga fillimi i vitit 2024, kur inteligjenca amerikane dhe ajo gjermane zbuluan një plan rus për të shënjestruar Armin Pappergerin, drejtorin ekzekutiv të prodhuesit të armëve Rheinmetall. Sipas raportimit, Pappergeri ruhet tashmë gjatë gjithë kohës nga roje private dhe policia.


