Kryeministri Edi Rama ka zbuluar një nga gjërat që dëshiron të bëjë pasi të largohet nga detyra: të shkëputet nga rrjetet sociale.
Gjatë episodit të ri të podcast-it “Flasim”, Rama tregoi se e kishte zili një prej të ftuarve, i cili tha se qëndron larg rrjeteve sociale. Kreu i qeverisë shfrytëzoi momentin për të folur për dëshirën e tij për të hequr dorë nga kjo prani e vazhdueshme publike, kur të mos jetë më në detyrë.
“Të kam shumë zili. Një nga gjërat që unë ëndërroj për ditën kur do të largohem nga kjo detyrë që më detyron të jem në të gjitha pasqyrat, është stop rrjeteve sociale”, u shpreh Rama.
Deklarata e tij vë në dukje dëshirën për t’u shkëputur nga ekspozimi i vazhdueshëm publik që shoqëron postin e kryeministrit, duke e parë jetën pas politikës si një mundësi për të mos qenë më kaq i pranishëm në rrjetet sociale.
Në të njëjtin episod të “Flasim”, Rama foli edhe për ndryshimet që, sipas tij, kanë pësuar Malësia e Madhe dhe Përmeti gjatë dhjetë viteve të fundit. Ai i përmendi si shembuj të transformimit të vendit, duke kujtuar se dikur perceptoheshin si zona të largëta, ku kishte pak arsye për të shkuar.


