Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar me sukses Kursin për Mbrojtje të Afërt, pjesë e Planit të Bashkëpunimit Dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë.
Kursi u udhëhoq nga instruktorë të certifikuar të Policisë Ushtarake të FSK-së, në bashkëpunim me pjesëtarë të Policisë Ushtarake Gjermane. Ky bashkëpunim mundësoi ndarjen e përvojës profesionale dhe përdorimin e metodave të avancuara të trajnimit.
Të lidhura
None found
Pjesëmarrësit kaluan një program intensiv, me kritere të rrepta përzgjedhjeje dhe kërkesa të larta profesionale. Në të u përfshinë qitja me armë, vetëmbrojtja, vozitja emergjente, taktikat e lëvizjes dhe formacionet, krahas përgatitjes fizike dhe psikologjike.
Ushtrimet praktike dhe skenarët e ndërtuar sipas veçorive të detyrave të mbrojtjes së afërt u shërbyen pjesëmarrësve për të përmirësuar aftësitë e reagimit e të koordinimit, si dhe për të kryer me efikasitet përgjegjësitë operacionale.
Përmbyllja e kursit përbën një zhvillim të rëndësishëm për profesionalizmin dhe kapacitetet operacionale të Policisë Ushtarake të FSK-së. Bashkëpunimi me Policinë Ushtarake Gjermane dëshmon gjithashtu vlerën e partneritetit ndërkombëtar në zhvillimin e njohurive, ndarjen e përvojave dhe përafrimin e standardeve të trajnimit.
FSK-ja vijon të investojë në zhvillimin profesional të personelit, me qëllim shtimin e gatishmërisë dhe përmbushjen e detyrave sipas standardeve bashkëkohore të sigurisë dhe mbrojtjes.




