Personi në foto është Kristian Ymeri, i njohur me nofkën “Shkambi”, një nga tre të arrestuarit në Lezhë, të dyshuar për planifikimin e një vrasjeje. Në pranga kanë rënë gjithashtu Vincessk Piroli dhe Elden Tarja. Sipas hetimeve, tre të dyshuarit ishin të armatosur dhe lëviznin me një motor të vjedhur, ndërsa dyshohet se po përgatiteshin të kryenin atentatin në orët e para të mëngjesit.
Sipas burimeve, plani i dyshuar nuk u realizua, pasi personat e armatosur nuk arritën të identifikonin objektivin e tyre. Autoritetet po hetojnë lëvizjet e tre të arrestuarve dhe rrethanat e ngjarjes, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e lidhjeve të tyre me një grup të dyshuar për organizimin e vrasjeve me pagesë.
Paralelisht me hetimet e Policisë së Lezhës, çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e SPAK, i cili po shqyrton mundësinë e verifikimit të lidhjeve të të arrestuarve me një grup të strukturuar kriminal. Aktualisht, hetimet nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës vijojnë për armëmbajtje pa leje, sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes dhe trafikimin e mjeteve motorike. Në varësi të provave që do të dalin, do të vendoset nëse çështja do të kalojë në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme.