
Një 29-vjeçar nga Kruja është arrestuar në Kamëz, pasi dyshohet se transportonte me automjet një pistoletë me qëllim shitjen e saj.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Last Drive II”, në pranga është vënë Ervis Cara, i dënuar më parë për trafikimin e mjeteve motorike.
Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte, policia gjeti një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua së bashku me automjetin dhe një celular.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e 29-vjeçarit, ku u zbulua një armë gjahu që mbahej pa leje, si dhe 50 fishekë.
Gjithashtu, policia sekuestroi një bllok shënimesh, në të cilin dyshohet se ishin regjistruar të dhëna për shuma të ndryshme parash. Për këtë arsye, ndaj tij ka nisur edhe hetimi pasuror, për të verifikuar burimin e të ardhurave dhe pasurisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Fshehja e të ardhurave”. /Versus.al

