Një 46-vjeçar është arrestuar në Kavajë, pasi dyshohet se ka vjedhur, në bashkëpunim me një person tjetër, kasafortën e një dyqani rrobash, ku ndodheshin rreth 600 mijë lekë. Gjatë vjedhjes dyshohet se janë marrë edhe gjashtë telefona celularë.
Ngjarja u denoncua më 8 tetor 2026 nga menaxherja e dyqanit, që ndodhet në lagjen nr. 3 të Kavajës.
Pas hetimeve për identifikimin e autorëve, u arrestua 46-vjeçari me inicialet M. L.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, efektivët gjetën dhe sekuestruan kasafortën e vjedhur, brenda së cilës ndodhej ende një pjesë e parave.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, pas njoftimit të marrë më datë 08.10.2026 nga menaxherja e një dyqani rrobash në lagjen nr. 3, Kavajë, se gjatë natës i kishin vjedhur kasafortën me rreth 600 000 lekë dhe 6 aparate celulare, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, u identifikuan autorët e dyshuar të vjedhjes.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga shtetasin M. L., 46 vjeç, banues në Kavajë.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale kasaforta e vjedhur, së bashku me një sasi vlere monetare.
Gjithashtu, u identifikua bashkëpunëtori i dyshuar, shtetasi A. S., 30 vjeç, banues në Kavajë, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.













