I shumëkërkuari i Shkodrës Valentin Ftoni arrestohet në New York, i akuzuar për tri vrasje

11 Tetor 2026 | 12:18

Një 52-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitit 2001 dhe i dënuar dy herë me nga 25 vite burgim për tri vrasje në qarkun e Shkodrës, është arrestuar në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Policia e Shtetit bën me dije se bëhet fjalë për Valentin Ftonin, i cili u lokalizua dhe u kap pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe tri agjencive federale amerikane.

Sipas njoftimit, në këtë operacion u angazhuan Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria për Krimet e Rënda dhe Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investigative, në bashkëpunim me agjencinë federale amerikane DSS/OCIU, Shërbimin e Marshallëve të Shteteve të Bashkuara (USMS) dhe Agjencinë e Emigracionit dhe Doganave (ICE).

Ftoni ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2001, pasi ndaj tij janë dhënë dy vendime dënimi me nga 25 vite burgim për vrasje të kryera në Shkodër. Autoritetet dyshojnë se, pas largimit nga Shqipëria, ai ka përdorur dokumente të falsifikuara dhe disa identitete të rreme për të hyrë dhe qëndruar në mënyrë të paligjshme në territorin amerikan.

Sipas dosjes gjyqësore, më 19 shtator 2000, në Ças të Velipojës, Ftoni ka vrarë shtetasit Gj. M. dhe A. M., për motive gjakmarrjeje. Për këtë ngjarje, më 28 shtator 2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka dënuar me 25 vite burgim për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndërsa më 18 nëntor 2008, e njëjta gjykatë e ka dënuar sërish me 25 vite burgim për vrasjen me paramendim dhe mbajtjen pa leje të armëve dhe municionit, pasi më 12 gusht 2001 ka vrarë shtetasin G. T.

Policia e Shtetit njofton se po vijon bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese amerikane për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 52-vjeçarit drejt Shqipërisë, ku ai duhet të vuajë dënimet e dhëna nga drejtësia shqiptare.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Begaj në Dibër: “Oda Dibrane” bashkon shqiptarët përtej kufijve

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi Dibrën, ku mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të 32-të të festivalit “Oda Dibrane”. Gjatë fjalës së tij,...
13:15 | 11/10/2026

Derbi Partizani-Tirana, policia jep njoftimin: Ja cilat rrugë bllokohen

Policia e Tiranës ka marrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë derbit mes Partizanit dhe KF Tiranës, që do të zhvillohet...
13:02 | 11/10/2026

TikTok heq 45 video pas ankesave, Armela Krasniqi: 9 të tjera pritet të jenë fshirë

Drejtoresha e Agjencisë së Medias Audiovizive, Armela Krasniqi, ka bërë të ditur në një intervistë për Euronews Albania me moderatoren Alba Xhani, se TikTok ka...
12:51 | 11/10/2026