Csaba Laszlo flet për herë të parë si trajner i Vllaznisë përpara përballjes me Dinamon: Dua ta shpëtoj klubin nga rënia, sfida më e fortë është…

Sonte në orën 18:30, Vllaznia dhe Dinamo do të ndeshen në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, në kuadër të javës së gjashtë të “Abissnet Superiore”. Në prag të këtij takimi, trajneri i sapoardhur i skuadrës shkodrane, Csaba Laszlo, dha deklaratat e tij për mediat.

Të lidhura

None found

“Çdo takim ka peshën e vet. U ndeshëm me një problem, por ia gjetëm zgjidhjen. Dje u zhvillua seanca stërvitore. Vështirësitë ekzistojnë gjithmonë, por thelbësore është që të ketë zgjidhje. Ne arritëm ta zgjidhnim dhe klubi gjithashtu. Lojtarët iu rikthyen përgatitjeve dhe tani kemi përballë një rival shumë të fortë. Në fakt, çdo kundërshtar është i fortë, ne nuk jemi favoritë, por jo gjithmonë fitorja shkon tek ata që konsiderohen favoritë.”

“Psikologjia më e mirë është kur në fund merr fitoren. Ne po stërvitemi për të marrë pikë, për të fituar çdo ndeshje, edhe pse e di që nuk mund t’i fitojmë të gjitha. Megjithatë, synimi është të nxjerrim maksimumin dhe të ngjitemi në renditje.”

“Vllaznia? Herë pas here merr vendime jo të zakonshme. Duhet të tregoj historinë e këtij klubi. Kur erdha dhe takova presidentin, pata ndjesinë se ai është një njeri i sinqertë që kërkon diçka më të mirë. I thashë: ‘Po, do ta bëjmë këtë punë’. Më pas shkova në shtëpi dhe i tregova gruas sime, e cila më pyeti njësoj si ju. Iu përgjigja: ‘Është thjesht një ndjesi dhe vendosa. Do ta çoj deri në fund këtë sezon dhe dua ta shoh këtë klub që të mos bie nga kategoria. Kam besim se do t’i arrijmë objektivat.”

“Për momentin, kundërshtari më i madh është koha. Kur bën ndryshime, lojtarët duhet t’i kuptojnë ato në mënyrën e duhur. Ne kemi bërë ndryshime si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë personal. Objektivi ynë kryesor ishte stabilizimi i mbrojtjes.”

“Çdo pikë na vlen. Por të jem i sinqertë, në ndeshjet në shtëpi dhe në derbi, edhe pse gjendemi në vendin e fundit, për mua kryesorja është fitorja. Këtë kërkoj. Se si do të rrjedhë loja, duhet të reagojmë. Ndoshta në fund mund të them se jam i kënaqur me një pikë, por nga ana tjetër ne futemi në fushë vetëm për fitoren. Edhe skuadra kundërshtare do të mendojë të njëjtën gjë”, u shpreh Laszlo.


Shtuar më 11.10.2026 12:29

Quantcast