Një 45-vjeçar shqiptar është arrestuar në Selanik, pasi humbi kontrollin e makinës në gjendje të dehur dhe përfundoi brenda një taverne, duke plagosur tre persona.
Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit, në zonën e Evosmos, në rrugën Agamemnonos. Automjeti doli nga rruga dhe u përplas brenda lokalit, ku ndodheshin klientë. Përveç tre të plagosurve, ngjarja shkaktoi edhe dëme materiale në tavernë.
Pas aksidentit, policia greke arrestoi drejtuesin e automjetit. Sipas mediave greke, testi i alkoolit tregoi se 45-vjeçari kishte konsumuar alkool mbi kufirin e lejuar. Dy matjet e kryera konfirmuan se ai kishte drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit.


