Beqir Devolli, i njohur edhe me nofkën “Çilo Hunderri”, dyshohet se është ndjekur që nga zona e Viroit, rreth 3 kilometra deri në vendin ku makina e tij shpërtheu në Gjirokastër. Sipas raportimeve, lënda plasëse e vendosur në automjetin tip “Benz” është aktivizuar me telekomandë, pasi 45-vjeçari u ngrit nga kafja ku kishte qëndruar me një mik.
Shpërthimi ndodhi në një rrugë pranë ambienteve të policisë. Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se kanë pritur që rruga të zbrazej përpara se të aktivizonin lëndën plasëse.
Devolli udhëtonte së bashku me 26-vjeçarin Erigels Mela. Sipas raportimeve, të dy ishin kërcënuar më herët, ndërsa makinës së Melës iu vu flaka vitin e kaluar, në atë që dyshohet se ishte një paralajmërim. Ndërkohë, Beqir Devolli kishte qëndruar për dy vjet nën masën e arrestit në shtëpi në Tiranë.
Një nga pistat që po shqyrtohet nga hetuesit është edhe ajo e një hakmarrjeje të mundshme, e lidhur me vrasjen e Artan Myrtajt në Sarandë rreth dy javë më parë. Megjithatë, kjo mbetet një pistë hetimi dhe nuk ka ende të dhëna zyrtare që konfirmojnë lidhjen mes dy ngjarjeve.


