Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e përfshirjes së SHBA-ve në luftën kundër grupit Huthi të Jemenit, pas sulmit vdekjeprurës në Aeroportin Ndërkombëtar King Khalid në Riad.
Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Arabisë Saudite bëri të ditur se 12 persona u vranë dhe 309 të tjerë u plagosën nga sulmi i së shtunës në aeroport, ndërsa disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike.
Agjencia Reuters raportoi se rebelët Huthi kanë marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili ishte i treti ndaj aeroportit brenda një jave.
Sipas Al Jazeera-s, Trump u tha gazetarëve të dielën, në bazën ajrore Andrews, se Uashingtoni po shqyrton nëse do t’i bashkohet luftës kundër Huthive. Ai deklaroi se një vendim pritet të merret së shpejti.
Trump e cilësoi gjithashtu sulmin si “të tmerrshëm” dhe tha se së shpejti do të zhvillojë një bisedë me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se një shtetas amerikan ka humbur jetën nga sulmi. Sipas raportimit, ai i cilësoi goditjet si “të papranueshme” dhe bëri thirrje që ato të ndalen.