Aktualitet

Vodhi kasafortën me 600 mijë lekë në një dyqan në Kavajë, 46-vjeçari bie në prangat e policisë

Një 46-vjeçar me inicialet M.L. ka rënë prangat e policisë në Kavajë pasi vodhi një kasafortë me rreth 600 mijë lekë në një dyqan rrobash. Sakaq, “blutë” kanë shpallur në kërkim bashkëpunëtorin si dhe kanë sekuestruar kasafortën e vjedhur, me një sasi vlere monetare brenda saj.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, pas njoftimit të marrë më datë 08.10.2026 nga menaxherja e një dyqani rrobash në lagjen nr. 3, Kavajë, se gjatë natës i kishin vjedhur kasafortën me rreth 600 000 lekë dhe 6 aparate celulare, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, u identifikuan autorët e dyshuar të vjedhjes.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga shtetasin M. L., 46 vjeç, banues në Kavajë. Gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale kasaforta e vjedhur, së bashku me një sasi vlere monetare. Gjithashtu, u identifikua bashkëpunëtori i dyshuar, shtetasi A. S., 30 vjeç, banues në Kavajë, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij”, thuhet në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.