
Hetimet për atentatin me eksploziv në Gjirokastër ndaj Beqir Devollit janë fokusuar tek disa pista, ku njëra prej tyre lidhet me hakmarrjen.
Sipas skemës së ndërtuar deri tani nga të dhënat në vendngjarje, mësohet se autorët e kanë ndjekur viktimën që nga Viroi në një segment prej 3 kilometrash.
Beqir Devolli ishte nisur nga Tirana drejt Gjirokastrës pasditen e së shtunës. Rrugës, pa hyrë në qytet, ai kishte konsumuar një kafe me 26-vjeçarin Erigels Mela.
Më pas, të dy vijuan udhëtimin drejt qendrës së qytetit, por automjeti tip “Benz” shpërtheu në ecje, vetëm rreth 10 metra larg Drejtorisë së Policisë.
Të dy mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital. Mëngjesin e së shtunës u tentua dërgimi i Devollit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por ai ndërroi jetë gjatë transportit me ambulancë. Ndërkohë, 26-vjeçari Erigels Mela ndodhet në gjendje të stabilizuar në spitalin e Gjirokastrës.
Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së një banke të nivelit të dytë, të cilat kanë filmuar ngjarjen. Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të atentatit.

