Papa Leone XIV njoftoi këtë të diel, në përfundim të lutjes së Angelusit në Sheshin “Shën Pjetri”, se mjekët i kanë zbuluar një nodul në mushkëri dhe se do t’i nënshtrohet një operacioni në ditët e ardhshme.
“Mjekët më kanë gjetur një masw të lokalizuar në mushkëri. Është zbuluar në një fazë shumë të hershme dhe është i lokalizuar mirë. Ata e konsiderojnë të nevojshme ndërhyrjen dhe, duke ndjekur këshillën e tyre, kam vendosur të operohem për ta hequr. Operacioni është planifikuar për ditët në vijim. Ju falënderoj për afërsinë tuaj shpirtërore dhe mbështetem te lutjet tuaja”, tha Papa.
Vatikani bëri të ditur se ndërhyrja do të kryhet në Poliklinikën “Gemelli” në Romë. Zëdhënësi I Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, sqaroi se operacioni është planifikuar në ditët e para të javës së ardhshme, ndërsa qëndrimi pas operacionit në spital pritet të zgjasë rreth një javë.
Pas njoftimit të Papës, kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu mbështetjen e saj dhe të qeverisë italiane. “Dëshiroj t’i shpreh Atit të Shenjtë afërsinë time personale dhe atë të qeverisë italiane për provën me të cilën do të përballet në ditët e ardhshme. Qetësia me të cilën foli gjatë Angelusit na jep zemër. Jam e bindur se edhe populli italian do t’i qëndrojë pranë me mbështetje dhe dashuri”, deklaroi ajo.
Edhe presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Lorenzo Fontana, i uroi Papës një ndërhyrje të suksesshme dhe shërim të shpejtë.
Lini një Përgjigje