Gianni Infantino ka përçarë FIFA-n, por kush mund ta rrëzojë?
Gianni Infantino duket si zuzari i përsosur. Ka kokën në formë veze, buzëqeshjen e pandërprerë, që shpesh ia drejton Donald Trumpit, dhe kombinimin e sikletshëm të kostumit të qepur posaçërisht me atlete të bardha.
Zvicerani, i biri i një punonjësi të stacionit hekurudhor, e kaloi këtë verë gjatë Kupës së Botës duke udhëtuar nëpër Amerikën e Veriut me një avion në pronësi të Katarit, duke ndjekur 44 ndeshje në 39 ditë. Sa herë që shfaqej në ekranet e stadiumeve, spektatorët e vërshëllenin, pjesërisht sepse kishte rritur çmimet e shumë biletave në mijëra dollarë secila.
Në atë kohë, presidenti i FIFA-s, me paketën e tij të pagës prej 6 milionë dollarësh, dukej i paprekshëm dhe po shkonte drejt rizgjedhjes së tretë radhazi pa kundërshtar vitin e ardhshëm. Por ai u përball me një krizë në fund të korrikut, kur u zbulua plani i tij për të shitur një pjesë të aksioneve të Kupës së Botës. Tifozët u indinjuan. Konfederatat e Evropës, Azisë, Amerikës së Veriut dhe Amerikës Qendrore kërkuan largimin e tij. Ish-futbollisti zviceran Ramon Vega deklaroi këtë javë se do të kandidojë kundër Infantinos në zgjedhjet presidenciale të marsit. Pritet që kandidatë më të fortë të shpallin kandidaturat përpara afatit të 18 nëntorit.
Megjithatë, Infantino ka të ngjarë të mbijetojë politikisht. Në fakt, ai mund të jetë pikërisht presidenti i FIFA-s që dëshiron shumica e federatave të futbollit në botë.
Infantino lindi në Brig, në Alpet zvicerane, në vitin 1970. Sipas rrëfimit të tij, kur ishte foshnjë vuante nga verdhëza dhe kishte nevojë për një transfuzion gjaku për të mbijetuar. Pasi Kryqi i Kuq kërkoi në të gjithë Evropën për dy dhurues me përputhshmëri të grupit të gjakut, një helikopter e transportoi lëngun shpëtimtar drejt spitalit të Brigit. Infantino thotë se kjo histori u bë lajm në faqen e parë të tabloidit zviceran Blick.
Ky është imazhi që ai ka për veten: një luftëtar i lindur. Pa dyshim, ai është një njeri që e ka ndërtuar vetë suksesin e tij. Brig ndodhet përtej kufirit me Italinë, në kantonin Valais, ndërsa prindërit e tij ishin emigrantë të varfër italianë. Vincenzo dhe Maria drejtuan secili, në periudha të ndryshme, një kioskë në stacionin e Brigit, ku Gianni i shoqëronte ndonjëherë. Në vitin 2022, në fjalimin e tij famëkeq “Sot ndihem…”, të mbajtur pak para Kupës së Botës në Katar, Infantino tha se mund ta ndiente veten si një person nga Katari, afrikan, punëtor emigrant, homoseksual, grua e të tjera, “sepse e di çfarë do të thotë të diskriminohesh… Në shkollë më bullizonin sepse kisha flokë të kuq dhe quka… Për më tepër, isha italian, ndaj imagjinoni vetë”.
Ai e donte futbollin dhe drejtonte një ekip për italianët e Brigit, por luante dobët. Motra e tij, Daniela, kujton: “Një herë tha se i kishte të dyja këmbët e majta”. Pasuritë e tij të vetme ishin inteligjenca dhe ambicia. Ai shkëlqente në shkollë, ishte një gjuhëtar i talentuar edhe sipas standardeve zvicerane dhe studioi drejtësi.
Ai nisi të punonte për UEFA-n, organizatën evropiane të futbollit, në vitin 2000. Si UEFA, ashtu edhe FIFA e kanë selinë në Zvicër dhe rekrutojnë punonjës nga një grup burokratësh zviceranë punëtorë, efikasë dhe shumëgjuhësh. Infantino u ngrit deri në postin e sekretarit të përgjithshëm të UEFA-s, një rol tradicional në futboll për personin që kryen punën, ndërsa presidenti, në këtë rast francezi Michel Platini, merret me takime dhe krijimin e marrëdhënieve me personazhe të rëndësishme. Një tjetër punëtor i palodhur nga Valais, Sepp Blatter, kishte qenë sekretar i përgjithshëm i FIFA-s përpara se të bëhej president në vitin 1998.
Revista zvicerane e lajmeve Republik intervistoi 84 persona që e njihnin Infantino-n dhe raportoi: “Një gjë që dëgjuam vazhdimisht ishte se… Infantino e vendos veten në qendër të vëmendjes nga nevoja për hakmarrje shoqërore, prandaj kërkon afërsinë me njerëz të pasur dhe të famshëm”. Miguel Maduro, të cilin Infantino e emëroi në vitin 2016 në krye të komitetit të qeverisjes së FIFA-s, por që e shkarkoi pak më vonë së bashku me zyrtarë të tjerë të etikës, kur presidentit iu zbeh dëshira për reforma, e përshkroi atë si “të zgjuar, por aq të etur për të lënë përshtypje, saqë dallova tek ai një nivel të caktuar pasigurie”.
Kur drejtimi i Blatterit u shemb në vitin 2015, mes skandaleve të korrupsionit dhe bastisjeve të FBI-së, Platini po përgatitej të merrte drejtimin. Por edhe ai u rrëzua nga një skandal. UEFA, në gjendje të dëshpëruar, e shpalli Infantino-n kandidatin e saj. Si gjithmonë, ai u nënvlerësua. Por, në fjalimin e tij në kongresin vendimtar të FIFA-s në vitin 2016, duke kaluar nga njëra gjuhë në tjetrën mes gjashtë gjuhëve, ai premtoi reforma në organizatën e korruptuar dhe tha fjalinë që i siguroi fitoren: “Paratë e FIFA-s janë paratë tuaja! Nuk janë paratë e presidentit të FIFA-s. Janë paratë tuaja”. Delegatët nga e gjithë bota e duartrokitën në këmbë.
Infantino e kuptoi faktin qendror për FIFA-n: ajo është një sistem patronazhi. Pothuajse të gjitha të ardhurat e saj vijnë nga një burim i vetëm: Kupa e Botës për meshkuj, e organizuar për herë të parë nga FIFA në vitin 1930. Të ardhurat ndahen mes 211 federatave kombëtare të futbollit. Çdo shoqatë anëtare, pavarësisht nga madhësia e saj, kishte të drejtë të përfitonte deri në 9.2 milionë dollarë gjatë ciklit katërvjeçar që përfundon në vitin 2026.
Ky sistem nuk i shërben Indisë, vendit ku futbolli ka potencialin më të madh për t’u zhvilluar, ndërsa financon më tepër seç duhet ishullin karaibik Montserrat, me një popullsi prej 4,300 banorësh. Nicholas McGeehan, drejtor i grupit të fushatës FairSquare, thotë: “Kam folur me disa njerëz që punojnë në zhvillim dhe ua kam shpjeguar modelin, por ata nuk të besojnë kur u tregon se si funksionon”. Ky model nuk ka kuptim si mënyrë për të zhvilluar futbollin. Por ka kuptim të plotë si mënyrë që presidenti aktual i FIFA-s të kënaqë federatat e varfra, veçanërisht pasi Montserrat ka një votë në këshillin e FIFA-s, po aq sa India.
Shumica e federatave kombëtare jetojnë me fondet e FIFA-s. Duke justifikuar çmimet e paprecedenta të biletave në Kupën e fundit të Botës, Infantino tha: “Pa FIFA-n, nuk do të kishte futboll në 150 vende”. Disa presidentë federatash i përdorin fondet e FIFA-s për të mirëmbajtur fushat ose për të trajnuar arbitrat. Të tjerë i fusin paratë në xhepat e tyre.
FIFA nën drejtimin e Infantinos ndonjëherë ndëshkon korrupsionin. Për shembull, muajin e kaluar i dha një ndalim të përjetshëm Vincent Cassell-it, presidentit për një kohë të gjatë të federatës së Montserratit, për “abuzim me pozicionin, konflikte sistematike interesi” dhe keqpërdorim të fondeve të FIFA-s. Komiteti i atëhershëm i etikës i FIFA-s kishte nisur procedurat kundër tij që në vitin 2011.
Problemi është se ndëshkimet jepen në mënyrë selektive dhe pa transparencë, thotë Maduro. Komiteti i etikës ndonjëherë i mbyll çështjet pa dhënë shpjegime. Presidentët e federatave që përballen me probleme ligjore në vendet e tyre shpesh nuk ndëshkohen nga FIFA. Zakonisht nuk dihet as nëse FIFA i heton ata, pasi komiteti i etikës nuk është i detyruar të bëjë publike veprimtarinë e tij. Maduro thotë: “Rregullat nuk zbatohen njësoj për të gjithë. Është një sistem rregullash pa sundim të ligjit”.
E njëjta gjë vlen edhe për çështjet disiplinore kundër lojtarëve. Cristiano Ronaldo fillimisht u pezullua për dy ndeshjet e para të Portugalisë në Kupën e Botës, pasi mori karton të kuq në kualifikuese. FIFA e anuloi pezullimin. Në mënyrë famëkeqe, ajo bëri të njëjtën gjë edhe për sulmuesin amerikan Folarin Balogun, pasi Trump i telefonoi Infantinos për t’i kërkuar këtë gjë.
Me pak fjalë, Infantino vepron si një autokrat tipik i shekullit XXI: pasurohet nga një pozicion që duhet të jetë në shërbim të publikut, fiton zgjedhje të njëpasnjëshme pa kundërshtarë dhe sundon pothuajse i vetëm. Mënyra më e mirë për të zbuluar politikat e FIFA-s është të ndjekësh llogarinë e tij personale në Instagram. Kongreset e FIFA-s zakonisht i miratojnë automatikisht vendimet e tij, me shumicën e votave pothuajse unanime, thotë Alex Phillips, ish-zyrtar për një kohë të gjatë i FIFA-s, UEFA-s dhe, deri vonë, sekretar i përgjithshëm i sindikatës së futbollistëve Fifpro. “Dhe katër personat që votojnë kundër, zakonisht e bëjnë këtë sepse kanë shtypur butonin e gabuar në sistemin elektronik të votimit”.
Infantino nuk mbajti asnjë konferencë për shtyp nga viti 2023 deri në vitin 2026 dhe së fundmi iu përgjigj një pyetjeje faktike të një gazetari me mesazhin: “Ik pirdhu, o shok”. Ashtu si autokratët e tjerë, ai i zgjat kufijtë e mandateve. Presidentët e FIFA-s supozohet të shërbejnë vetëm tre mandate, por ai tani po kandidon për një mandat të katërt, të paktën në dukje. Ai tha se mandati i tij i parë, nga viti 2016, nuk llogaritet, pasi po përfundonte mandatin e ndërprerë të Blatterit.
Nuk është çudi që ai duket më i lumtur në shoqërinë e udhëheqësve të fortë autoritarë. Një nga imazhet më të qëndrueshme të epokës së Infantinos është ai ku ai bën shaka në një lozhë VIP në Moskë me Vladimir Putinin dhe princin e kurorës saudite Mohammed bin Salman, gjatë ndeshjes Rusi–Arabia Saudite, takimi hapës i Kupës së Botës 2018. Kur Putini i dha atij Urdhrin e Miqësisë së Rusisë një vit më vonë, Infantino e quajti atë “një nder të jashtëzakonshëm, të pabesueshëm”.
Infantino, ashtu si paraardhësi i tij, është një tip i përjetshëm zviceran: portieri i hotelit, “der Portier” në gjermanisht, miqësor, shumëgjuhësh dhe pa ideologji të caktuar. Ai i mban mend gjithmonë emrat e mysafirëve të tij. Mbi të gjitha, duke jetuar në një vend ku qarkullojnë paratë, portieri e di se cilët prej tyre mund të paguajnë faturat e hotelit: në shekullin XIX britanikët, më pas amerikanët, pastaj rusët dhe aktualisht arabët e Gjirit. Për sa kohë që paratë e tyre vazhdojnë të qarkullojnë, pavarësisht se nga i kanë siguruar, portieri i trajton me respekt.
Infantino e mbrojti pa u lodhur Katarin kur ky vend priti Kupën e Botës në vitin 2022, më pas organizoi dhënien e diskutueshme të kompeticionit të vitit 2034 Arabisë Saudite. Presidentët e federatave kombëtare, të cilët në teori zgjedhin vendin pritës, morën pjesë përmes lidhjes me video. Kur u shpall kandidatura e vetme saudite, ata e miratuan vendimin duke duartrokitur me mikrofonat e fikur. “Muri i ekraneve duartrokiti në heshtje”, shkroi James Montague në librin Engulfed: How Saudi Arabia Bought Sport, and the World. Lise Klaveness, presidentja e federatës norvegjeze dhe kundërshtarja më e zëshme e Infantinos brenda futbollit, vëren: “Ne nuk duartrokitëm”.
Pasi Infantino shpiku një “Çmim të Paqes të FIFA-s” dhe ia dha Trumpit në shortin e Kupës së Botës vitin e kaluar, duke shkelur në dukje detyrimin e organizatës për neutralitet politik, Norvegjia mbështeti kërkesën e FairSquare drejtuar komitetit të etikës së FIFA-s për të hetuar çështjen. Përgjigjja e menjëhershme e komitetit, sipas Klaveness, ishte: “Nuk do t’ju japim asnjë informacion”. Në një sistem drejtësie selektive, udhëheqësi mund t’i shkelë rregullat.
Pavarësisht gjithë kësaj, deri nga mesi i korrikut rreth 200 federata kombëtare kishin mbështetur rizgjedhjen e Infantinos. Në një sistem të përqendruar te një individ, të gjithë kërkojnë favorin e udhëheqësit, duke shpresuar se ai do t’u japë përfitime, si për shembull të drejtën për të organizuar turne. Kontrolli i tij mbi pushtetin dukej absolut.
Gjithçka ndryshoi kur u bë publik lajmi për planin e tij për t’u shitur investitorëve një pjesë prej 20 për qind të turneut për 4.2 miliardë dollarë. Investitorët drejtoheshin nga Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushnerit, dhëndrit të Trumpit. Infantino u dha federatave kombëtare vetëm 53 ditë për të shqyrtuar ofertën, duke u premtuar një përfitim të menjëhershëm nëse e pranonin: 20 milionë dollarë secilës. Kjo shumë përbën pothuajse një të katërtën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Montserratit.
Indinjata brenda futbollit kishte katër arsye. Së pari, shumë e konsiderojnë Kupën e Botës një ngjarje të shenjtë, që duhet të qëndrojë mbi interesat tregtare. Së dyti, Infantino dukej se nuk kishte kërkuar mendimin e askujt tjetër dhe as nuk kishte kërkuar oferta konkurruese. Së treti, FIFA, një organizatë jofitimprurëse me rezerva monetare prej 6 miliardë dollarësh, nuk kishte nevojë për këto para. Së fundi, çmimi dukej jashtëzakonisht i ulët. Shitja e propozuar e vlerësonte turneun më të ndjekur në sport me 20 miliardë dollarë, vetëm 5 miliardë më shumë se të ardhurat e ciklit të fundit të Kupës së Botës.
Infantino kishte shkuar shumë larg. Më në fund, kundërshtarët e tij guxuan të vepronin. UEFA udhëhoqi kundërshtimin, duke deklaruar: “Kupa e Botës nuk është në shitje”. Federatat evropiane thanë se do të bojkotonin turnetë e FIFA-s derisa ai ta tërhiqte planin. Ai e bëri këtë pothuajse menjëherë. Emocionalisht, kjo u duk si revolucioni i shumëpritur i futbollit botëror. E megjithatë, pritet që mbreti të mbijetojë.
Kjo mund t’i habisë tifozët, veçanërisht ata nga vendet e pasura evropiane të futbollit. Por tifozët nuk përfaqësohen në këshillin e FIFA-s. As lojtarët, trajnerët apo arbitrat. Për të kuptuar mbështetjen që gëzon Infantino, është thelbësore ta shohim atë nga këndvështrimi i pjesës më të madhe të elektoratit të FIFA-s: presidentëve të federatave të futbollit në vende që mezi kanë një ekonomi të zhvilluar futbolli. Shumë prej tyre mendojnë se ai po bën një punë të mirë.
Së pari, energjia e tij është e rrallë në një sport ku vendimmarrësit shpesh ua detyrojnë pozitat lidhjeve familjare ose politike. Ai është një president që punon si sekretar i përgjithshëm. Blatteri kishte mbajtur një shtrat pranë zyrës së tij presidenciale; Infantino e zëvendësoi atë me pajisje stërvitjeje. Udhëtimet e tij të vazhdueshme me avion gjatë Kupës së Botës mund t’u jenë dukur tifozëve si shenjë privilegji. Për zyrtarët e futbollit, ato dukeshin si shenjë energjie dhe përkushtimi.
Ai e ka zgjeruar futbollin botëror, duke zgjeruar Kupën e Botës për Klube me financim saudit, si dhe Kupat e Botës për meshkuj dhe femra. Në veçanti, perëndimorët kundërshtuan zgjerimin e turneut të meshkujve nga 32 në 48 ekipe. Por edicioni i kësaj vere ishte i suksesshëm dhe Kupa e Botës e vitit 2030 ka të ngjarë të përfshijë 64 ekipe. Kjo do të thotë më shumë të ardhura dhe më shumë vende për shtetet e vogla. Me zgjuarsi, Infantino ka shtuar gjithashtu numrin e komiteteve brenda FIFA-s. Presidentët e federatave që kanë role në komitete përfitojnë dieta të majme, qëndrime në hotele luksoze, mundësi për të bërë selfie me yje të mëdhenj të futbollit të së kaluarës dhe rastin për të mbikëqyrur, për shembull, Kupën e Botës në futbollin e plazhit në Seychelles, ndërsa sekretarët e përgjithshëm dhe vullnetarët kryejnë punën e vërtetë.
Tifozët i urrenin çmimet e larta të biletave për Kupën e Botës dhe “pushimet për hidratim”, që ndërprisnin ndeshjet në mënyrë që transmetuesit televizivë të shfaqnin më shumë reklama. Por federatat i vlerësojnë të ardhurat shtesë. Kritikët më të mëdhenj të Infantinos priren të vijnë nga vende, veçanërisht Anglia, Gjermania dhe vendet nordike, që kanë mjaftueshëm para.
Kritikat e tyre mbartin gjithashtu nuanca privilegji dhe hipokrizie. Merrni deklaratën solemne të UEFA-s kundër marrëveshjes me Kushnerin: “Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një produkt investimi… E ardhmja e futbollit nuk mund të diktohet nga pritshmëritë e atyre, detyra e parë e të cilëve është të maksimizojnë kthimin financiar”. E megjithatë, shumica e klubeve të mëdha evropiane të futbollit trajtohen si produkte investimi, blihen dhe shiten nga pronarë që shpresojnë të maksimizojnë kthimin financiar. UEFA e shfrytëzon pa mëshirë nga ana tregtare Ligën e Kampionëve. Pse Kupa e Botës nuk duhet t’u ofrojë vendeve të varfra një përfitim financiar?
As UEFA nuk mund ta paraqesë lehtësisht Infantino-n si një autokrat që nuk jep llogari, kur vetë presidenti i konfederatës, Aleksander Čeferin, që pëlqen të thirret “President Čeferin”, i ka pasur të pezulluara kufizimet e mandateve. Sa për anglezët, Premier League e tyre është zhytur tani në skandalin e vet, pasi Manchester City, skuadra dominuese e 15 viteve të fundit, u zbulua se kishte shmangur rregullat financiare duke fryrë artificialisht të ardhurat me më shumë se 900 milionë paund.
Shumë perëndimorë besojnë se autokracitë si Rusia, Katari dhe Arabia Saudite nuk duhet të organizojnë Kupat e Botës. Por shumë njerëz në jugun global mendojnë se kjo ndodh sepse Perëndimi vazhdon të besojë se turneu i përket atij. Infantino, megjithëse vetë evropian, lufton kundër kësaj kulture politike kundër Evropës. Ai u zhvendos në Katar përpara Kupës së Botës dhe e mbrojti monarkinë kundër kritikave perëndimore: “Mendoj se, për atë që ne evropianët kemi bërë në të gjithë botën për 3,000 vjet, duhet të kërkojmë falje për 3,000 vitet e ardhshme”. Ai madje ka përvetësuar një pjesë të identitetit arab, duke marrë shtetësinë libaneze përmes bashkëshortes së tij, Lina.
Shumë njerëz jashtë Evropës e mirëpresin ngritjen e aktorëve të rinj të fuqishëm të futbollit, Katarit dhe Arabisë Saudite. Të dyja ndihmojnë në financimin e lojës, pjesërisht përmes sponsorëve Qatar Airways dhe Saudi Aramco. Rrethi i Trumpit solli gjithashtu financierin që mbështeti skemën e fundit të Infantinos për të fituar para. Pak presidentë federatash e dinë ose u intereson që skema e nënvlerësonte Kupën e Botës. Nëse Infantino e nisi planin pa u konsultuar me të tjerët, shumica e vendeve të tyre, si edhe federatat e futbollit, janë gjithashtu autokraci.
Infantino ka të ngjarë të fitojë rizgjedhjen. Konfederatat e Evropës, Azisë, Amerikës së Veriut dhe Amerikës Qendrore e kundërshtojnë zyrtarisht, por disa prej anëtarëve të tyre janë distancuar publikisht nga ky qëndrim. Meksika, për shembull, e mbështet atë. Megjithatë, mbështetësit e tij janë të paqëndrueshëm. Phillips thotë: “Ata nuk e pëlqejnë veçanërisht Infantino-n si person. Isha në Vancouver në Kongres [në prill], kur ai tha: ‘Do të kandidoj vitin e ardhshëm’, duke pritur që e gjithë salla të ngrihej në këmbë njëzëri. Një zyrtar i FIFA-s po u thoshte ‘Legjendave’ [ish-futbollistëve] në rreshtin e parë të ngriheshin në këmbë. Por kur hodha sytë në pjesën tjetër të sallës, pashë se ishin ngritur, si të thuash, vetëm 15 veta. Ai dukej dukshëm i tronditur”.
Katari dhe Arabia Saudite vazhdojnë të jenë në krah të tij. Secili prej tyre ndihmon në financimin e dhjetëra federatave të varfra dhe ndikon në votat e tyre. Katari doli në mbështetje të tij pothuajse menjëherë pas shpërthimit të skandalit, ndërsa Unioni i Shoqatave Arabe të Futbollit, me 22 anëtarë dhe i drejtuar nga princi saudit Abdulaziz bin Turki al-Faisal, “ripohoi” javën e kaluar mbështetjen për Infantino-n. Megjithatë, Stanis Elsborg nga Play the Game, një nismë e drejtuar nga Instituti Danez për Studime Sportive, thotë për shtetet e Gjirit: “Nëse në një moment arrijnë të numërojnë 106 [vota] pa Infantino-n, nuk mendoj se besnikëria e tyre është aq e madhe ndaj tij”.
Edhe nëse ai humbet, pak njerëz besojnë se pasardhësi i tij do të reformojë sistemin e patronazhit të FIFA-s, që ekziston prej dekadash. Norvegjia paraqiti këtë javë ankesa për sjelljen e Infantinos pranë dy komiteteve të FIFA-s. Por Klaveness thotë: “Nëse shkon tani në zgjedhje dhe i thua Montserratit apo kujtdo tjetër: ‘Nuk dua t’ju jap para’, pse do të votonin për ty? Mendoj se kjo do të jetë logjika e çdo presidenti të ri: duhet t’i shpërndash paratë në mënyrë të barabartë”. UEFA thotë se çdo federatë duhet të marrë menjëherë 10 milionë dollarë nga rezervat e FIFA-s. Infantino e ka përvetësuar me zgjuarsi këtë propozim.
Disa kritikë të FIFA-s shpresojnë se presioni për reforma do të vijë nga vendet evropiane. Ato janë fuqitë kryesore të futbollit dhe kanë fituar pesë nga gjashtë Kupat e fundit të Botës. Evropa gjeneron 70 për qind të ekonomisë globale të futbollit, vëren Infantino. Evropianët hoqën dorë nga kërcënimi për të bojkotuar garat e FIFA-s pasi ai braktisi planin me Kushnerin. Megjithatë, nëse federatat evropiane refuzonin të merrnin pjesë në këto gara derisa ai të largohej ose FIFA të reformohej, pjesa tjetër e botës do të detyrohej t’i dëgjonte.
Por evropianët nuk do të largohen. Korrupsioni në FIFA është të paktën 50-vjeçar dhe ideja evropiane është hedhur në tryezë që nga fillimi i viteve 2000, por Evropa nuk e ka bojkotuar kurrë një turne. Ekziston vetëm një Kupë e Botës, është çmimi më i madh në futboll, ka gati një shekull histori dhe FIFA e zotëron atë.
Edhe nëse disa vende evropiane do të krijonin Kupa Bote rivale për meshkuj dhe femra, ato nuk do të kishin kurrë statusin e kompeticionit origjinal. Efekti kryesor do të ishte dëmtimi i garës më të mirë të futbollit. Shumica e tifozëve dhe lojtarëve evropianë do të ishin të pakënaqur. Në futboll dhe në fusha të tjera, evropianët kanë treguar vazhdimisht se nuk janë të gatshëm të bëjnë sakrifica për parimet që pretendojnë se mbrojnë.
Infantino po udhëton nëpër botë me një avion të vënë në dispozicion nga Qatar Airways, duke fituar mbështetjen e presidentëve të federatave dhe duke promovuar reformat në qeverisjen e FIFA-s. Ai është një luftëtar i palëkundur. Phillips thotë: “Ai ndoshta është personi që dëshiron të jetë president i FIFA-s më shumë se kushdo tjetër në të gjithë botën”.
Federata portugeze pezullon përkohësisht Ronaldon nga ekipi kombëtar, hap procedurë disiplinore
Nga pezullimi disiplinor te kandidati për Topin e Artë, rrugëtimi i Lamine Yamal drejt majës së futbollit
Flick: Rafinha do të mungojë edhe në dy ndeshjet e ardhshme
- 13:30 Dadiç tha se flamuri serb do valvitet në Prizren, reagon ish-ministri gjerman: Kjo do të thotë luftë, BE të ndërpresë fondet
- 13:20 Shërbimet sekrete: Rusia po përgatit atentate në Evropë ndaj “kokave të mbrojtjes” që ndihmojnë Ukrainën
- 13:15 Begaj në Dibër: “Oda Dibrane” bashkon shqiptarët përtej kufijve
- 13:07 Papa Leo XIV do i nënshtrohet një operacioni, ja komplikimi shëndetësor i Atit të Shenjtë
- 13:02 Derbi Partizani-Tirana, policia jep njoftimin: Ja cilat rrugë bllokohen
- 12:51 TikTok heq 45 video pas ankesave, Armela Krasniqi: 9 të tjera pritet të jenë fshirë