Shëndeti mendor dhe përmirësimi i shërbimeve për qytetarët ishte në qendër të një takimi që ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, zhvilloi me mjekë dhe specialistë të Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor në Durrës.

Spahiu bëri të ditur se gjatë takimit u diskutuan problematikat e shëndetit mendor në të gjitha grupmoshat, si edhe nevoja për rivlerësimin e kritereve dhe protokolleve që ndjek Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor për kategori të veçanta të personave që përballen me këto vështirësi.

Sipas ministres, bashkëpunimi me profesionistët e fushës dhe përmirësimi i vazhdueshëm i praktikave të kujdesit janë thelbësore për të garantuar shërbime më të përshtatura me nevojat e çdo individi.

“Shëndeti mendor, një prioritet që kërkon vëmendje dhe kujdes të vazhdueshëm. Me mjekë dhe specialistë të Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor në Durrës diskutuam mbi problematikat e shëndetit mendor në të gjitha grupmoshat, si dhe mbi nevojën për rivlerësimin e kritereve dhe protokolleve të ndjekura nga QKSHM për kategori të veçanta të personave që përballen me vështirësi të shëndetit mendor. Bashkëpunimi me profesionistët e fushës dhe përmirësimi i vazhdueshëm i praktikave të kujdesit janë thelbësore për të garantuar shërbime më të përshtatura me nevojat e çdo individi, me më shumë mbështetje, përkujdesje dhe dinjitet”, shkroi Spahiu në rrjetet sociale.