Pas disfatës 3-0 ndaj Barcelonës në “Spotify Camp Nou”, trajneri i Getafes, Jose Bordalas, vlerësoi lart talentin e sulmuesit katalanas Lamine Yamal.
Të lidhura
None found
Sipas tij, ylli i ri i Barcelonës ka aftësinë të ndikojë drejtpërdrejt në rezultat dhe të bëjë diferencën edhe përballë kundërshtarëve që marrin masa të veçanta për ta ndalur.
“Të gjithë e njohim nivelin e Lamine Yamalit. Ai është fantastik dhe jashtëzakonisht i vështirë për t’u frenuar, pavarësisht mënyrës se si përgatitet kundërshtari. Ka cilësi të mëdha në duelet një kundër një, në finalizim dhe në pasime”, deklaroi Bordalas.
Trajneri spanjoll beson se Yamal ka ende hapësirë për t’u zhvilluar dhe se në të ardhmen mund të arrijë vlerësimin më të madh individual në futboll.
“Ai do të bëhet edhe më i mirë dhe është në gjendje ta fitojë Topin e Artë. Për këtë nuk kam asnjë dyshim”, u shpreh ai.
Bordalas nuk e fshehu gjithashtu zhgënjimin për paraqitjen e Getafes, duke vënë në dukje gabimet individuale që ndikuan në fitoren e Barcelonës.
“Goli i pësuar që në minutën e parë na e komplikoi menjëherë ndeshjen. Më pas, edhe goli i dytë erdhi si dhuratë, ndërsa i treti u shënua pas një gabimi në markim. Përballë Barcelonës, janë detajet ato që përcaktojnë gjithçka”, përfundoi trajneri i Getafes.




