Më pak ullinj Berati këtë vit, thatësira gjatë verës dëmtoi pemët, fermerët pësojnë humbje të mëdha

11/10/2026 12:29

Në zonat bujqësore të Beratit sezoni i vjeljes së ullirit, një prej kulturave më të rëndësishme për ekonominë e fermerëve vendas, do të shtyhet.

Ndryshe nga vitet e kaluara, prodhimi i këtij viti pritet të jetë mjaft i pakët, ndërsa shkaktari kryesor mbetet thatësira e gjatë dhe mungesa e reshjeve të shiut gjatë muajve të verës dhe fillimit të vjeshtës.

Procesi i vjeljes nisi fillimisht me varietetet e ullirit të tavolinës, por fermerët janë përballur me një situatë jo të mirë: kokrrat e ullirit janë të mpira.

Vijimi i vjeljes në këto kushte, thonë fermeërt do t’u shkaktonte humbje të mëdha financiare, pasi produkti nuk ka as peshën dhe as cilësinë e kërkuar për tregun. Fermerët synojnë fitim kohe dhe janë me sytë nga qielli, me shpresën se ditët e ardhshme do të sjellin reshje shiu.

Sipas tyre, një shi i bollshëm në këtë periudhë do të ndihmonte në fryrjen e kokrrave, rritjen e përqindjes së vajit dhe përmirësimin e dukshëm të rendimentit përpara se të rinisë vjelja masive e të gjithë ullishteve.

Top Channel