
Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë derbit mes Partizanit dhe KF Tiranës, që do të luhet sot në orën 18:30 në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Për të shmangur incidentet dhe për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes, disa rrugë në kryeqytet do të bllokohen nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit sportiv.
Rrugët që do të bllokohen
Sheshi “Nënë Tereza”
Rruga “Lekë Dukagjini”
Rruga “Dervish Hima”
Zonat dytësore përreth stadiumit “Arena Kombëtare”
Policia ka përcaktuar edhe itineraret që duhet të ndjekin tifozët e dy skuadrave për të mbërritur në stadium.
Tifozët e Partizanit, të cilët do të vendosen në tribunën N, do të nisen nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”, do të vijojnë te “Libri Universitar”, anash Presidencës, në rrugën “Gjergj Filipi” dhe te “Coin”, për të mbërritur në sektorin përkatës.
Ndërsa tifozët e KF Tiranës, për tribunat V-S, do të nisen nga sheshi “Skënderbej”, duke kaluar te ish-Hotel “Dajti”, Ura e Dajtit dhe ETC-ja. Më pas, itinerari vijon në rrugën e Elbasanit, rrugën “Dervish Hima”, rrugën “Sheh Ahmet Pazari” dhe drejt “Ambasador 3”.
Uniformat blu bëjnë me dije se nuk do të lejohen grumbullimet apo devijimet nga itineraret e përcaktuara. Para hyrjes në stadium do të kryhen kontrolle të imtësishme për të parandaluar futjen e sendeve të kundërligjshme, si sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë dhe lëndë piroteknike.
Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi, pasi pa të nuk do të lejohet hyrja në stadium. Fëmijët nën 16 vjeç duhet të shoqërohen nga një prind ose kujdestar ligjor, edhe nëse janë të pajisur me biletë.
Gjithashtu, hyrja do t’u ndalohet personave të identifikuar më parë nga policia si problematikë gjatë aktiviteteve sportive./Versus.al

