Në foto, Kristian Ymeri
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për tre personat e arrestuar në Lezhë, të dyshuar për planifikimin e një vrasjeje me pagesë. Në njërin prej telefonave të sekuestruar nga policia është gjetur fotografia e banesës së një personazhi të njohur në qytetin e Lezhës, me inicialet E.T.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Elton Qyno, personi në fjalë ndodhej jashtë Shqipërisë prej rreth një muaji në kohën kur dyshohet se po përgatitej atentati.
Në pranga kanë rënë Kristian Ymeri, alias Shkambi, Vinccesk Piroli dhe Elden Tarja. Të tre pritet të dalin para Gjykatës së Lezhës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Hetimet paraprake tregojnë se një tjetër objektiv i mundshëm i të dyshuarve mund të ketë qenë P.Gj., i cili, sipas të dhënave të bëra publike, u ka shpëtuar dy atentateve të mëparshme të lidhura me konfliktet me E.T.
Sipas burimeve, tre të dyshuarit lëviznin të armatosur me një motor të vjedhur në Suedi dhe dyshohet se po përgatiteshin të kryenin atentatin në orët e para të mëngjesit. Plani dyshohet se dështoi pasi ata nuk arritën të identifikonin objektivin e tyre.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur lëvizjet e të arrestuarve, motivet dhe personat që mund të qëndrojnë pas planit të dyshuar kriminal. Gjithashtu, po verifikohen lidhjet e mundshme të tyre me një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për organizimin e vrasjeve me pagesë.
Paralelisht, çështja ka tërhequr vëmendjen e SPAK-ut, i cili po shqyrton mundësinë e verifikimit të lidhjeve të të arrestuarve me këtë aktivitet kriminal.
Për momentin, hetimet nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës vijojnë për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, “Sigurimi i kushteve për kryerjen e vrasjes” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Në varësi të provave që do të dalin nga hetimet dhe analizat e kryera në ditët në vijim, do të vendoset nëse çështja do të kalojë në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme./Syri

