Ish-ministri i Drejtësisë Krenar Lloga i ka bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të reagojë menjëherë, ndërsa Prokurorisë t’i zhvillojë hetimet në mënyrë të pavarur lidhur me rastet e dyshuara të dhunës policore në Saraj, Kumanovë dhe Gostivar.
Të lidhura
None found
Në një reagim në Facebook, Lloga përmendi pretendimet e dy vëllezërve nga Kumanova, të cilët thonë se janë rrahur nga tre policë. Sipas tij, zyrtarët e përfshirë janë denoncuar pranë Kontrollit të Brendshëm.
Ai kërkoi që MPB-ja të marrë masa ndaj çdo punonjësi policie që dyshohet se ka shkelur ligjin dhe paralajmëroi se mosveprimi mund të dobësojë besimin e qytetarëve te institucionet e sigurisë.
„Rasti në Saraj, ky në Kumanovë dhe rasti i fëmijës 11-vjeçar në Gostivar duhet të jenë alarm për institucionet“, theksoi Lloga.
Lloga i bëri thirrje Prokurorisë të veprojë paanshmërisht dhe në mënyrë të pavarur, si dhe të shqyrtojë edhe raste të tjera të mundshme të dhunës policore që mund të mos jenë bërë publike apo raportuar.
Sipas tij, çdo pretendim për dhunë nga policia duhet të hetohet nga institucionet, ndërsa përgjegjësia të përcaktohet në bazë të provave dhe procedurave ligjore.







