Të paktën 109 emigrantë kanë humbur jetën, mes tyre 15 fëmijë, pasi një varkë u përmbys pranë brigjeve të Xhibutit, ndërsa më shumë se 116 persona rezultojnë të zhdukur. Mbi 80 persona kanë arritur të mbijetojnë nga tragjedia.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë natës mes 8 dhe 9 tetorit, kur varka që udhëtonte nga Xhibuti drejt Jemenit u përmbys në det, pranë zonës së Guhere, në veri të qytetit portual Obock.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e cila citon dëshmitë e të mbijetuarve, në bord ndodheshin rreth 350 persona. Ndërkohë, agjencia Associated Press, duke iu referuar të dhënave të IOM-it, raportoi se numri i personave në varkë ishte 305.
Mes 109 viktimave të konfirmuara janë 52 burra, 42 gra dhe 15 fëmijë, prej të cilëve nëntë vajza dhe gjashtë djem. Më shumë se 80 të mbijetuarit janë shtetas etiopianë.
Autoritetet e Xhibutit, në bashkëpunim me ekipet e IOM-it, po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për gjetjen e personave të zhdukur dhe po u ofrojnë ndihmë emergjente të mbijetuarve.
“Është një humbje shkatërruese jete. Mendimet tona janë me të mbijetuarit dhe familjet që kanë humbur të dashurit e tyre ose që ende nuk kanë lajme për të afërmit”, deklaroi Alexandre Coissac, kreu i misionit të IOM-it në Xhibuti.
Një nga rrugët më të rrezikshme të emigracionit
Varka po përpiqej të kalonte Ngushticën e Bab el-Mandebit drejt Jemenit. Kjo rrugë përdoret nga mijëra emigrantë nga Briri i Afrikës, të cilët synojnë të arrijnë në vendet e Gjirit Persik në kërkim të mundësive ekonomike dhe kushteve më të mira të jetesës.
Megjithatë, udhëtimi kryhet shpesh me mjete të mbingarkuara dhe në kushte të rrezikshme, duke i ekspozuar pasagjerët ndaj mbytjes dhe aksidenteve detare.
Sipas IOM-it, varfëria, pasiguria dhe pasojat në rritje të ndryshimeve klimatike i shtyjnë shumë njerëz të ndërmarrin këtë udhëtim, pavarësisht rreziqeve dhe paqëndrueshmërisë në rajon.
Tragjedia e fundit rikthen vëmendjen te rreziku me të cilin përballen emigrantët përgjatë këtij korridori detar. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, gjatë vitit 2025 më shumë se 900 persona humbën jetën ose u zhdukën në këtë itinerar.
Ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, autoritetet po përpiqen të përcaktojnë fatin e më shumë se 116 personave që ende rezultojnë të zhdukur.
© SYRI.net