Përmirësimi i mënyrës se si institucionet komunikojnë me qytetarët është në fokus të Rrjetit MIA, nismës së qeverisë që synon të afrojë profesionistë dhe ide të reja për administratën publike. Kryeministri Edi Rama njoftoi se ka përfunduar faza e intervistave dhe se procesi ka hyrë në fazën e përzgjedhjes.

Sipas Ramës, në Rrjetin MIA u regjistruan 245 aplikantë, ndërsa u zhvilluan rreth 200 intervista.

“Kur prezantuam Rrjetin MIA, ideja ishte të hapnim dyert për njerëz me ide, energji dhe aftësi për të sjellë diçka ndryshe në mënyrën si institucionet komunikojnë me qytetarët. Tashmë ka përfunduar faza e intervistave dhe ajo që më duket më interesante është larmia e propozimeve. Nga përdorimi i inteligjencës artificiale dhe verifikimi i informacionit, te mënyrat se si mund t'i dëgjojmë më mirë qytetarët dhe t'i përfshijmë në gjetjen e zgjidhjeve”, shkruan Rama.

Thirrja për aplikime u mbyll më 10 shtator dhe ishte e ndarë në dy kategori: “Puno me ne”, për specialistë që do t'i bashkohen strukturave të komunikimit në institucionet qendrore, dhe “Bashkëpuno me ne”, për individë, grupe apo kompani që propozojnë zgjidhje dhe projekte të reja në fusha si inteligjenca artificiale, verifikimi i informacionit, video dhe dizajni.

Sipas kryeministrit, tani procesi vijon me përzgjedhjen e ideve dhe kandidatëve më të mirë, me synimin që propozimet të kthehen në zgjidhje konkrete për përmirësimin e komunikimit të institucioneve me qytetarët.