Policia e Tiranës ka marrë masa të posaçme për derbin mes Partizanit dhe Tiranës, që luhet sot në orën 18:30 në stadiumin “Arena Kombëtare”. Nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes do të bllokohen sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Lekë Dukagjini”, rruga “Dervish Hima” dhe zonat përreth stadiumit.
Itineraret për tifozët
Tifozët e Partizanit do të nisen nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”, do të kalojnë te “Libri Universitar”, anash Presidencës dhe në rrugën “Gjergj Filipi”, pranë “Coin”, për të mbërritur te tribuna N.
Tifozët e Tiranës do të nisen nga sheshi “Skënderbej”, pranë ish-Hotel “Dajtit”, do të kalojnë te Ura e Dajtit dhe ETC-ja, më pas në rrugën e Elbasanit, rrugën “Dervish Hima” dhe rrugën “Sheh Ahmet Pazari”, pranë “Ambasador 3”, drejt hyrjeve V–S.
Policia nuk do të lejojë grumbullime apo lëvizje jashtë itinerareve të përcaktuara.
Rregullat e hyrjes në stadium
Para hyrjes do të kryhen kontrolle për sende të ndaluara, përfshirë sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë dhe lëndë piroteknike.
Tifozët duhet të kenë dokument identifikimi. Fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen të hyjnë pa prindin ose kujdestarin ligjor, edhe nëse kanë biletë. Gjithashtu, do t’u ndalohet hyrja tifozëve të identifikuar më parë nga policia si problematikë në aktivitete sportive.
Policia u kërkon tifozëve të zbatojnë masat e sigurisë dhe qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në rrugët e bllokuara gjatë orarit të përcaktuar.


