Tragjedi detare në Xhibuti - Përmbytet varka, 109 të vdekur. Mes tyre fëmijë

11 Tetor 2026, 15:00Bota TEMA
Tragjedi detare në Xhibuti - Përmbytet varka, 109 të vdekur. Mes

Të paktën 109 migrantë, mes tyre 15 fëmijë, kanë humbur jetën dhe mbi 116 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë me rreth 305 persona në bord u përmbys gjatë udhëtimit nga Xhibuti drejt Jemenit, njoftoi të dielën Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, varka u përmbys gjatë natës së 8-9 tetorit, pranë zonës Guhere, në veri të qytetit portual Obock, në Xhibuti. Më shumë se 80 persona arritën të mbijetonin, të gjithë shtetas etiopianë.

Nga 109 trupat e gjetur, 52 janë burra, 42 gra dhe 15 fëmijë, mes tyre nëntë vajza dhe gjashtë djem. Autoritetet në Xhibuti po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa të mbijetuarve po u ofrohet ndihmë mjekësore dhe për të ndjerët po organizohen ceremonitë e varrimit.

“Ekipet tona janë në terren, në bashkëpunim me autoritetet lokale, për të ofruar ndihmë emergjente”, deklaroi Alexandre Coissac, shefi i misionit të IOM-it në Xhibuti, duke theksuar rreziqet me të cilat përballen migrantët në këtë korridor migrator në kërkim të mundësive ekonomike.

Ndërkohë, situata e sigurisë në Jemen mbetet e tensionuar për shkak të përshkallëzimit të luftimeve mes forcave qeveritare, të mbështetura nga Arabia Saudite, dhe rebelëve Houthi, të mbështetur nga Irani. Sipas IOM-it, numri i personave të zhvendosur nga konflikti është rritur në rreth 200 mijë, nga 76 mijë në mesin e shtatorit.

Mbi 3.700 persona janë larguar nga Jemeni drejt Xhibutit përmes detit deri javën e kaluar, sipas të dhënave të organizatës. Ndërkohë, edhe në Etiopi janë regjistruar përleshje të reja gjatë muajit të kaluar, në një përshkallëzim të dhunës që nga lufta në rajonin e Tigray-t.

Lini një Përgjigje