Nisma e qeverisë për përmirësimin e komunikimit të institucioneve me qytetarët, Rrjeti MIA, ka marrë 245 aplikime dhe ka përfunduar fazën e intervistave. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se procesi ka hyrë tashmë në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve dhe ideve më të mira.
“Kur prezantuam Rrjetin MIA, ideja ishte të hapnim dyert për njerëz me ide, energji dhe aftësi për të sjellë diçka ndryshe në mënyrën si institucionet komunikojnë me qytetarët. Tashmë ka përfunduar faza e intervistave dhe ajo që më duket më interesante është larmia e propozimeve. Nga përdorimi i inteligjencës artificiale dhe verifikimi i informacionit, te mënyrat se si mund t’i dëgjojmë më mirë qytetarët dhe t’i përfshijmë në gjetjen e zgjidhjeve”, shkroi Rama.
Thirrja për aplikime u mbyll më 10 shtator dhe përfshinte dy kategori: “Puno me ne”, për specialistët që synojnë t’u bashkohen strukturave të komunikimit në institucionet qendrore, dhe “Bashkëpuno me ne”, për individë, grupe ose kompani që propozojnë projekte e zgjidhje të reja.
Propozimet përfshijnë fusha si inteligjenca artificiale, verifikimi i informacionit, prodhimi i videove dhe dizajni. Sipas Ramës, synimi është që idetë dhe aftësitë e kandidatëve të përzgjedhur të shndërrohen në zgjidhje konkrete për përmirësimin e komunikimit të institucioneve me qytetarët.


